Prishtinë, 28 gusht NOA-Policia dhe EULEX-i vazhdojnë t'i pengojnë shqiptarët për rindërtimin e shtëpive në veri.
Kordonët e Policisë së Kosovës dhe ata të EULEX-it kanë ndaluar dhe sot punëtorët shqiptarë që janë të interesuar të vazhdojnë punimet dhe banorët serbë që kundërshtojnë kthimin në shtëpitë e tyre të fqinjëve shqiptarë.
Pas takimit me zëvendëskomandantin e Policisë rajonale të Kosovës, Ergin Medic, banorët e lagjes kanë shpresuar se të enjten pasdite do të lejohen të vazhdojnë punimet dhe ata kanë pritur kot deri në orët e mbrëmjes.
Milija Milosevic, komandant i Stacionit verior të Policisë së Kosovës, ka deklaruar se posedon dy urdhra, njëri për lejimin dhe tjetri për moslejimin e punëve në atë lokalitet.
Mësohet se nga Prishtina ishte urdhri jo aq i prerë, që të zhvendosen kordonët e policisë dhe punëtorë të lejohen të punojnë nëse janë krijuar kushtet, derisa urdhri nga EULEX-i ka qenë që të mos lejohen punimet.