Shkup, 28 gusht, NOA - Janë shtuar zërat për ribërjen e kabinetit të ri qeveritar gjatë tetorit të këtij viti, mirëpo në shënjestër siç bëhet e ditur do të jenë kryesisht ministrat shqiptarë nga radhët e BDI-së. Kjo është konfirmuar edhe në qarqet brenda koalicionit qeveritar, ku deri tani nuk janë publikuar emra të caktuar që do të largohen.
Por nga ana tjetër, sipas analistëve, ministrat shqiptarë në kuadër të qeverisë aktuale vazhdojnë të jenë në pozitë inferiore dhe kjo gjendje shqetësuese vlerësohet edhe nga analistët shqiptarë, të cilët kritikojnë ashpër qasjen e tillë të ministrave shqiptarë përballë kryeministrit Gruevski.
Ligjëruesi universitar prof.dr. Osman Kadriu në cilësinë e një intelektuali vlerëson si tejet inferior pozitën e ministrave shqiptarë. "Ende është akut problemi për disa çështje nga lëmia e të drejtave nacionale, me çrast propozimet dhe kërkesat e ministrave shqiptarë nuk kanë kaluar në Qeveri dhe natyrish nuk kanë kaluar edhe ne Parlament. Një pjesë e madhe e ligjeve janë miratuar vetëm me pëlqimin e partisë më të madhe të bllokut maqedonas VMRO-DPMNE me në krye me Nikola Gruevskin", ka theksuar Kadriu. Por sipas tij, nga ana tjetër, këta ministra shqiptarë kanë treguar afinitet dhe një përgjegjësi në kryerjen teknike të detyrës së tyre, duke shfrytëzuar kompetencat që kanë. Analisti dhe publicisti Avni Halimi vlerëson se ministrat shqiptarë po luajnë rolin e mercenarëve pa pushtet. "Edhe pse ata janë ministra, nuk kanë lirinë dhe kompetencat e veprimit. Të gjithë janë nën influencën e Gruevskit. Nuk e di se si rrijnë ata në këto detyra kur dihet se luajnë rolin e inferioritetit dhe figurave pa pushtet", thekson Halimi. Sipas tij, veprimi denigrues që i bëhet ministrave shqiptarë shihet edhe nëpërmjet transmetimeve direkte në televizion të seancave qeveritare. Marrëveshja e koalicionit midis BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së siç bëhet e ditur kishte përfshirë si parakusht kërkesën e mandatarit Gruevski, që ministrat shqiptarë të raportojnë kryesisht tek ai dhe jo tek liderët partiak, ndërsa një pozicion më i favorshëm dhe vendimarrës do ti jepej zëvendëskryeministrit shqiptar.
NOA-INA