English

Konfindustria: Të hiqet detyrimi për detyrimet e biznesit 90 % përmes bankave

Tiranë, 28 gusht, NOA - Konfindustria do t'i kërkojë qeverisë shqiptare në mënyrë zyrtare që në një kohë sa më të shpejtë, të shfuqizojë detyrimin ligjor të marrë në vitin 2007 për kalimin e jo më pak se 90% të pagesave vjetore të bizneseve nëpërmjet sistemit bankar.

Shkak për kërkesën e Konfindustrisë janë bërë shqetësimet e vëna re ditët e fundit se mjaft banka të nivelit të dytë kanë rritur vlerën e komisioneve bankare, që bizneset dhe qytetarët duhet të paguajnë për transaksionet, që kryejnë nëpërmjet bankave.

"Ngritja e menjëhershme e komisioneve bankare, që bizneset janë të detyruar të paguajnë, godet në radhë të parë drejtpërdrejt industrinë e vendit, sepse nga njëra anë rrit në mënyrë të paarsyeshme kostot e prodhimit dhe nga ana tjeter ul fuqinë blerëse të qytetarëve. Kostot financiare shtesë që bizneset dhe qytetarët paguajnë për komisionet bankare shkojnë për të rregulluar bilancin e keqësuar të bankave, si pasoje e tkurrjes së kredidhënies dhe sidomos rritjes në masë shqetësuese të "kredive të këqija" si pasojë e subjektivizmit, korrupsionit dhe menaxhimit jo profesional bashkangjitur me pasojat e krizës botërore në ekonominë shqiptare", thuhet në deklaratën e Konfindustrisë.

Gjithashtu, sipas drejtuesve të saj, rasti i papranueshem i mësipërm tregon, që tregu bankar shqiptar vepron në kushtet e një sistemi oligopol dhe ka nevojë për rregullime rrënjësore, ku Banka e Shqipërisë duhet domosdoshmërisht të luaj rolin e saj.

"Në kushtet e mësipërme, Konfindustria i kërkon qeverisë shqiptare, që si hap i parë i rregullimit të gjendjes së pakënaqshme në sistemin bankar shqiptar të shfuqizoj vendimin vazhdimisht të kundërshtueshëm, që me ligj i detyron bizneset të drejtohen në sistemin bankar duke paguar me detyrim kosto krejtësisht të paarsyeshme financiare. Në të njëjtën kohë, detyrimi i kalimit të 90% të pagesave vjetore nëpërmjet bankave, ka çuar gjithashtu edhe në shtimin e vështirësive të qarkullimit të parave, aq shumë e ndjeshme në kushtet e mungesës së likujditetit në ekonominë dhe para se gjithash në industrinë shqiptare", përfundon deklarata e Konfindustrias lidhur me një fakt të tillë.

n.e/NOA

Â

Â

Â

KOMENTE