Ankara, 28 gusht NOA-Ministri i jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni, është takuar sot në Ankara me udhëheqësit më të lartë të shtetit turk.
Ai ka takuar kryetarin e Asamblesë së Madhe turke, Mehmet Ali Sahin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Ahmet Davutoglu.Në njoftimin për mediat të ministrisë thuhet se ministri Hyseni ka vendosur theksin te partneriteti strategjik midis vendeve dhe rëndësinë për të vazhduar dhe thelluar bashkëpunimin në fusha të interesit të përbashkët, veçanërisht në fushën e investimeve ekonomike.
Një temë tjetër e rëndësisë së veçantë ishte bashkëpunimi dhe përkrahja e shtetit turk në shtimin e numrit të njohjeve, veçanërisht në ato vende ku Republika e Turqisë është më me ndikim.
Ministri Hyseni gjithashtu ka vendosur kurorë në mazoleumin e themeluesit të shtetit modern turk, Kemajl Ataturk.
Gjatë qëndrimit të tij, shefi i diplomacisë kosovare do të pritet edhe nga presidenti Abdullah Gül.
b.a/NOA