Marrja përsipër e vlerësimit se nga anon peshorja e së drejtës historike është një mision i pamundur që nuk i takon EULEX-it. Vetëm zbatimi i drejtësisë dhe i ligjit njëlloj për të gjithë, ashtu edhe siç është emërtuar misioni i BE-së, japin garanci për zgjidhje afatgjata
Nga Armand Shkullaku
Makinat e përmbysura të EULEX-it në Prishtinë janë sinjali i parë i qartë se me këtë mision diçka serioze nuk po shkon si duhet. Ky sinjal nuk ka të bëjë me mënyrën se si vepruan aktivistët e Vetëvendosjes, por me atë se për herë të parë, diku hapur e diku në heshtje, opinioni kosovar duket se u pajtua me një aksion të tillë.
Editoriali i gazetës Express theksonte se durimi i qytetarëve të Kosovës ka një kufi, të përditshmet tjera dhe televizionet kryesore i dhanë një hapësirë të madhe djemve të Albin Kurtit dhe ndërhyrja policore u komentua si e dhunshme.
Çfarë ka ndodhur këtë herë që me goditjen e xhamave të makinave u duk sikur doli jashtë një zemërim i cili shkon përtej veprimeve ekstremiste të Vetëvendosjes? Situata e krijuar sigurisht që nuk është rezultat i tentativës për ta nënshkruar protokollin e bashkëpunimit mes EULEX-it dhe policisë serbe. Ajo nuk është as produkt i ndonjë skenari apo provokimi me prapavijë politike.
Ajo është pasojë e mënyrës se si vetë EULEX-i po përpiqet ta realizojë misionin për të cilin ka zbarkuar në Kosovë. Me sa duket, ky mision nuk po i bindë vetë kosovarët se udhëhiqet pikërisht nga drejtësia dhe sundimi i ligjit njëlloj për të gjithë. Pothuajse në të njëjtën kohë që aktivistët e Albin Kurtit goditeshin e arrestoheshin, serbët në Kroin e Vitakut qëllonin me armë zjarri e granata dhe askush prej tyre nuk u tërhoq zvarrë e nuk iu vunë prangat.
Por, përtej këtij rasti, që nuk është i vetmi, shumë veprime të tjera po dëshmojnë se misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë, ndonëse në letër duket i qartë, në praktikë nuk po rezulton i tillë. Kjo kontradiktë e ka një shpjegim. EULEX-i kërkon të vendosë drejtësi dhe sundim të ligjit duke patur në kokë, ndoshta në mënyrë të pavullnetshme, idenë e gabuar se shqiptarët kanë përfituar diçka të madhe dhe serbët tani duhen trajtuar më me kujdes.
Një ide që, pa e kuptuar, po i shndërron serbët në viktima, ndonëse nuk janë aspak të tillë. Duke aplikuar standarde të dyfishta të sjelljes ndaj shqiptarëve dhe serbëve, EULEX-i shihet qartë se vepron nën peshën e një kompleksi absurd.
Një kompleksi që i ka rrënjët në bombardimin kundër Serbisë 10 vjet më parë dhe që ushqehet sot nga refuzimi i pesë vendeve anëtare të BE-së për ta njohur shtetin e Kosovës. Në vend të drejtësisë dhe ligjit, është ky kompleks që kushtëzon shpeshherë veprimet e BE në Kosovë.
Nëse lufta ka qenë e drejtë dhe çlirimi i Kosovës gjithashtu një e drejtë, vendosja e drejtësisë nuk kërkon kompensim për palën e dënuar.
Një mentalitet i tillë, jo vetëm që rëndon padrejtësisht mbi shqiptarët, por ai ka pasoja edhe për vetë të ardhmen e vendit.
Serbët që jetojnë në Kosovë, sjelljen tolerante ndaj tyre, edhe kur thyejnë ligjin, do e përkthejnë si dobësi, do binden se ndaj tyre është bërë padrejtësi, nuk do ndahen nga e kaluara dhe do krijojnë përherë probleme me ligjin dhe rendin.
Arsyetimi sipas të cilit, "shqiptarëve u dhamë pavarësinë, tani serbët duhet t'i marrim me të mirë", nuk i justifikon shkeljet e ligjit nga këta të fundit. Nuk e justifikon dhunën në veri, bllokimin e gjykatave, votimet e paligjshme, shkeljet e sovranitetit, sabotimet, etj. Përveç kompleksit të kompensimit, në qëndrimin e BE-së ndaj Kosovës dhe konkretisht të materializuar tek EULEX-i, ndonëse nuk thuhet me zë të lartë, vihet re edhe një lloj lehtësie. Një lehtësi që buron nga fakti se shqiptarët janë të dobët, shteti i Kosovës nuk është ende i njohur, se megjithë tentativat liderët kosovarë në fund të fundit do t'u binden fuqive të mëdha, apo edhe se vendi nuk jeton dot pa ndihma financiare nga jashtë.
Nisur nga ky realitet, aspiratat apo kërkesat e shqiptarëve, si në rastin e protokollit me Serbinë, shpesh nuk merren parasysh. Duke ditur se, në fund të fundit, Prishtina nuk ka fuqi vendimarrëse, kujdesi më i madh tregohet për t'i kënaqur apo joshur serbët, pa llogaritur fare reagimin dhe emocionet e shqiptarëve. Prishja e balancës mes të drejtave të shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë, mund të prodhojë reagime të papritura. EULEX-i nuk ka zbarkuar me mision për të përcaktuar se kush ka të drejtë, apo kush duhet kompensuar për të kaluarën në Kosovë, por për të vepruar dhe për të treguar se drejtësia dhe ligji janë një për të gjithë. Se ato zbatohen njëlloj, si për serbët ashtu dhe për shqiptarët, në shtetin e Kosovës.
Në të kundërt, nëse do të vazhdohet me praktikën se shqiptarët durojnë, se për hir të pavarësisë duhet të pranojnë gjithçka dhe se serbët mund të tolerohen edhe për krime për hir të stabilitetit, veprime si ato të Vetëvendosjes do të shtohen.
Një politikë e tillë shpjegon edhe pse kohët e fundit janë shumëfishuar zërat që flasin për bashkim me Shqipërinë, për qëndrim më të vendosur të autoriteteve të Kosovës dhe që kundërshtojnë aktet e EULEX-it.
Shqiptarët, në emër të asaj që kanë arritur dhe në emër të asaj që duan të ndërtojnë, kanë toleruar shumë gjatë dhjetë viteve të fundit, por jo deri në atë pikë sa të trajtohen si qytetarë të dorës së dytë në shtetin e tyre.
Këtë duhet ta ketë parasysh EULEX-i në misionin e tij. Marrja përsipër e vlerësimit se nga anon peshorja e së drejtës historike është një mision i pamundur që nuk i takon EULEX-it.
Vetëm zbatimi i drejtësisë dhe i ligjit njëlloj për të gjithë, ashtu edhe siç është emërtuar misioni i BE-së, japin garanci për zgjidhje afatgjata. Ndonëse mund të marrin kohë, ato janë i vetmi mjet për t'i bindur shqiptarët dhe serbët se nuk kanë rrugë tjetër për të jetuar në paqe në shtetin e tyre.
(*) Marrë nga "Express"