English

Oketa takohet me studentët e akademisë ushtarake që do të studiojnë jashtë vendit

Tiranë, 28 gusht NOA - Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa priti sot studentët e rinj, që do të startojnë këtë vit akademik studimet ushtarake jashtë vendit, përkatësisht në Greqi, Itali, Gjermani e Turqi.

Gjatë bisedës me ta, ministri Oketa ka theksuar faktin se "përveçse një privilegj, përfundimi me sukses i studimeve në këto shkolla, është dhe një detyrim e përgjegjësi e madhe, që keni përballë familjeve tuaj dhe institucionit të Ministrisë së Mbrojtjes. Ju përfaqësoni Shqipërinë dhe Forcat e saj të Armatosura, si një vend anëtar i NATO-s, ndaj duhet ta bëni këtë gjë me dinjitet të lartë".

Ministri i Mbrojtjes ndër të tjera i shprehu studentëve edhe përkrahjen që do të kenë nga institucioni i Ministrisë së Mbrojtjes dhe strukturat e saj, gjatë viteve të studimit.

Këtë vit akademik do të fillojnë studimet 20 studentë, nga të cilët 9 janë vajza. Përveç studimeve ushtarake një pjesë prej tyre do të studiojnë edhe në specialitete civile si mjekësi, ekonomi, juridik, infermieri e inxhinieri.

k.k/NOA

KOMENTE