English

Berisha në jug të vendit: Turizmi, prioritet kryesor i qeverisë

Sarandë, 28 gusht NOA UPDATE-Investimet në turizmin e vendit do të jenë prioritetet që qeveria e re e djathtë ka në plan të kryejë sapo të marrë bekimin në kuvendin e Shqipërisë.

Premtimi është dhënë nga kryeministri Berisha gjatë vizitës së tij sot në fshatrat e Bregut, ku mori pjesë në përurimin e fillimit të punimeve për rrugën e plazhit Potam, në Himarë.

Në takimin e zhvilluar me banorët e zonës, në kuadër të turit "Shqipëria po ndryshon", kryeministri Berisha siguroi se brenda vitit 2010, do të asfaltohet çdo metër rrugë e fshatrave të brigjeve të Jonit dhe Adriatikut.

Kryeministri tha se paralelisht me projektin e asfaltimit të rrugëve do të ecet në drejtim të furnizimit me ujë të të gjithë zonës bregdetare, si dhe të zbatimit të një seri projektesh të tjera, në mënyrë që viti i ardhshëm të jetë një vit turistik më i mirë në të gjitha aspektet.

"Janë një seri projektesh në zbatim e sipër.

Qeveria do ti përshpejtojë ato dhe do të bëjë çdo përpjekje që viti i ardhshëm të jetë një vit turistik edhe më i mirë se viti që lëmë pas", u shpreh Berisha.

Sipas Berishës, Shqipëria këtë vit me sa duket do të zerë vendin e parë në botë, sipas disa agjencive të huaja, për rritjen e shpejtë të numrit të turistëve.

Viti i krizës më të madhe botërore në Shqipëri u shoqërua nga një rritje prej 36 % të turizmit krahasuar me vitin e kaluar.

Turizmi është ajo degë e ekonomisë shqiptare, nga e cila përfiton numri më i madh i familjeve shqiptare dhe qytetarëve shqiptarë.

m.i/NOA

KOMENTE