Nga Rajmonda Lajthia
Tiranë, 29 Gusht NOA Update - Muajin e ardhshëm, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes do të aplikojë pranë Entit Rregullator të Energjisë, për të rritur çmimin e energjisë elektrike, për periudhën 1 janar -31 dhjetor 2010.
Këtë e pohuan për agjencinë e lajmeve NOA, burime zyrtare nga ERT.
Por ndryshe nga vitet e tjera, për herë të parë këtë vit do të aplikojnë për çmim të ri të gjithë subjektet e licencuara, ku përfshihen kompania e prodhimit, ajo e shpërndarjes si dhe kompania e transmetimit të energjisë.
Kjo situatë vjen si pasojë e privatizimit të kompanisë OSSH.
Kryetari i Entit Rregullator, Bujar Nepravishta tha për agjencinë e lajmeve NOA, se kompanitë kanë afat deri më 30 shtator 2009, për të sjellë kërkesën për aplikim.
Kjo kërkesë sipas tij do të bëhet transparente dhe pas një analize tremujore do të merret vendimi se sa do të rritet energjia. Kurse në dhjetor do të publikohen tarifat e reja.Â
Por pavarësisht faktit se gjatë këtij viti do të aplikojnë tre kompani për çmimin, Bujar Nepravishta thotë, se kjo procedurë e re, nuk do të ndikojë në kostot e energjisë, që do të paguajë konsumatori.
Ajo çfarë ndikon në çmim sipas kryetarit të ERE, Nepravishta, janë kostot e prodhimit, humbjet teknike apo vjedhjet.
Pronarët e rinj çekë të OSSH-së, do të bëjnë propozim edhe për të ndryshuar kontratën me konsumatorët.
Këta të fundit duket se do të jenë më të privilegjuar, pasi në kontratën e re do të sanksionohet që nuk do të ketë më ndërprerje të energjisë, por mbi të gjitha do të dëmshpërblehen konsumatorët në rast të efekteve negative.
Drejtuesit e kompanisë OSSH janë në fazën e pajisjes me matës të energjisë elektrike për të gjithë konsumatorët. Synimi është që të shmanget në maksimum faturimi i energjisë aforfe.
/r.l/e.n/NOA/