Tiranë, 29 gusht NOA-Sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë së Partisë Socialiste Gramoz Ruçi në fjalën e mbajtur sot në Kongresin e Jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste, tha se "edhe pas datës 28 qershor, Shqipëria, vend anëtar i NATO-s, vazhdon të mbesë vendi i fundit, në Europë jo e jo, por edhe në rajon, që nuk ka mundur të realizojë zgjedhje të ndershme, të lira dhe sipas standardeve evropiane".
Më poshtë vijon fjala e plotë e Ruçit:
Të dashur shoqe e shokë delegatë të kongresit të PS
Të nderuar miq dhe të ftuar,
Sot sytë e të gjithë opinionit publik, gjithë vëmendja tij është përqendruar në punimet e këtij kongresi të PS.
Qoftë edhe duke gjykuar mbi këtë vëmendje, më duhet të them se ne, socialistët shqiptarë, mund të gjejmë në këtë detaj mjaft domethënës një provë më shumë për rëndësinë e posaçme që ka në jetën e shoqërisë shqiptare PS, padyshim partia më demokratike, më moderne dhe më evropiane në vend: partia që padyshim, dje, sot, por edhe më tej, është forca kryesore politike në vend, të cilës i kanë besuar në vijimësi shumica e qytetarëve shqiptarë.
Sot, ne këtu nuk jemi për të dhënë një shfaqje që mund të nginjë kuriozitetin e ndokujt, nuk jemi për të kryer një akt thjesht formal në jetën e partisë sonë, sot ne jemi mbledhur për të punuar. Asambleja Kombëtare e PSSH ka kërkuar mbajtjen e këtij kongresi për dy qëllime kryesore:
E para, diskutimi dhe miratimi i vendimit e qëndrimit politik të PS për atë çfarë ndodhi në zgjedhjet e 28 qershorit,
Dhe e dyta, administrimi i kandidaturave për kryetar të PS dhe caktimi i datës së votimit nga anëtarësia e saj për zgjedhjen e kryetarit të partisë.
Ndaj motra dhe vëllezër, kolegë të partisë, kolegë të bindjes dhe idealit të përbashkët, i kërkoj secilit nga ju të japë kontributin e tij të çmuar, një kontribut që besoj se do të vij nga fjala e secilit prej jush, që do të kërkoj të flasë, por që do të vij gjithashtu, edhe nga heshtja e secilit që do të zgjedh heshtjen; qoftë i bashkuar me mendimin e shumicës qoftë me kundërshtinë e pakicës!
Gjatë këtyre ekzaktësisht 2 muajve nga dita e zgjedhjeve, si socialistë, si i zgjedhur në forume drejtuese të partisë, si deputet i saj, si deputeti i saj dhe si qytetar i angazhuar, kam menduar dhe debatuar gjatë me veten, me miq dhe dashamirës, por edhe me miqtë e dashamirës, por edhe me kundërshtarë të mendimit tonë politik. E përbashkëta e këtyre diskutimeve, ka qenë një dhe vetëm një: edhe pas datës 28 qershor, Shqipëria, vend anëtar i NATO-s, vazhdon të mbesë vendi i fundit, në Europë jo e jo, por edhe në rajon, që nuk ka mundur të realizojë zgjedhje të ndershme, të lira dhe sipas standardeve evropiane. Dhe një gjë të tillë nuk e lidh me faktin se është tjetër parti ajo që ka legjitimitetin e munguar për të formuar qeverinë e nesërme, por me dhimbjen e madhe që qeveria në fund të mandatit të saj, do ti kaloj historisë me mëkatin e saj të zakontë, kapitullin e vjetër dhe të ri të saj: deformoi vullnetin e qytetarit shqiptarë dhe shkatërroi dhe morri rishtas peng sovranitetin e votuesit.
E gjithë kjo situatë, e bën edhe dramatike të sotmen tonë dhe të qytetarit shqiptarë, e bën edhe më të domosdoshme kurajën tonë të padiskutueshme për të gjetur përgjigjet politike ndaj saj.
Kongresi ynë i Jashtëzakonshëm, forumi më i lartë politik i detyruar nga statuti do të duhet të shprehet për rezolutën e miratuar nga Asambleja Kombëtare, në lidhje me zgjedhjet dhe institucionin e tyre si edhe do ti hapë rrugë, procesit të zgjedhjes së kryetarit të PS.
Dhe ne do ta bëjmë një gjë të tillë! Pa asnjë dyshim do ta bëjmë! Më lejoni të nderuar kolegë të parashpreh bindjen time të thellë në faktin se mbas këtij kongresi, të gjithë së bashku do të ndihen më të fortë, më pranë njëri tjetrit, të papërjashtuar dhe pjesa e atij ingranazhi të madh njerëzor e intelektual që do të vazhdojë të prodhojë shpresë për këtë vend rishtazi të marrë peng nga e shkuara.
Dhe meqenëse folëm për pengje dhe pengmarrës, askush nuk ka dyshim se për kë e kam fjalën: është marrë sërish peng gjithë vendi nga një kast mediokrish e të paaftësh, e për më keq akoma, nga një grup i strukturuar kriminal, që pushtetin e kanë të lidhur me babëzinë, që karrigen e kanë të pandarë nga hesapi i xhepave vetjak që vodhën e grabitën çfarë mundën dhe çfarë deshën dhe po përgatiten të ndajnë çfarë ka mbetur nga ky vend i munduar si plaçkë luftë.
Të dashur shokë dhe shoqe,
Ka një emër që nuk dua ta përmend, është emri i atij që kërkon të bëhet mbreti i shqiptarëve, një mbret qesharak dhe lakuriq. Ai emër është personifikimi i humbjes së sfidës së madhe të të gjithë shqiptarëve për të bërë më së fundi zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Vesi del me shpirtin dhe druri i shtrembër ka vetëm një mënyrë për tu drejtuar. Vesi i ligë i vjetër i futjes së duarve në zgjedhje, edhe kësaj radhe, detyroi mbretin qesharak të trazoj kutitë, të cënoj sovranitetin e shenjtë të votuesit, të përdorë vjedhjen si mjet dhe mënyrë e vetme për të fshehur mëkatin e vjetra dhe të reja mbas pushtetit. Po ai nuk do të mund ta bëjë dot kurrë një gjë të tillë.
Ka ca gjëra në botë që vonojnë, por nuk harrojnë kurrë të vijnë: si psh, turpi përpara historisë, sa për të përmendur një prej tyre.
Në këto zgjedhje politike që lamë pas, ne nuk ishim përballë PD-së, këtij fosili të vjetër, ne kishim përballë dhunim që nga administrata e organizuar si garnizon ushtarak, nga punonjës të tatimeve, nga matrioshkat e KQZ, e deri te banditët e liruar nga burgjet për të futur në burg votën e lirë.
Në një përballje të tillë nuk mund të ketë rezultat zgjedhor të pranuar dhe aq më tepër të fituar. Me një sjellje të tillë nuk mund të ketë qeverisje legjitime e aq më pak të qëndrueshme. Me deformime të tilla nuk mund të ketë një forcë politike të përgjegjshme që të pranojë si legjitime një pushtet që deformoi votën e shqiptarëve, jo thjesht më me vjedhje kutish si në '96, por me dhunë psikologjike e financiare mbi çdo segment të elektoratit dhe administratës zgjedhore.
Duke thënë një gjë të tillë, pres që gjithsecili nga ne të flasë dhe të analizojë sepse ne nuk mundëm të përballojmë dhe fitojmë këtë sfidë, pres të identifikojmë të gjithë së bashku se çfarë nuk funksionoi siç duhet në makinën tonë elektorale që nuk mundi të përballojë arrogancë e një pushteti arrogant. Pres që të gjithë së bashku të identifikojmë sepse nuk mundëm të përkthejmë në votë e të numërojmë si votë vendimin e shqiptarëve përpara kutisë së votimit që pushteti të shkonte majtas.
Pres që të gjithë sëbashku të gjejmë njëra pas tjetrës ato pjesë të mozaikut të përgjigjeve për pyetjen që rezultoi fatale: pse votat e majta që shkuan për LSI, u trafikuan si drogë ilegale për të mbajtur në këmbë dhe zgjuar pushtetin legjitim të mbretit edhe qesharak, edhe lakuriq.
Më lejoni të besoj dhe shpresoj fort se ky kongres do të na bëjë ne më të përgjegjshëm dhe më të ndërgjegjshëm, se kësaj situate delikate dhe dramatike për fatet e gjithë vendit, do ti përgjigjemi me reformimin e mëtejshëm të partisë, me vullnetin e fortë për të kapërcyer problemet tona të brendshme dhe për të gjetur një liman përfundimtar pakënaqësive kur ato vijnë nga interesa meskin dhe të nxjerrim në lundrim në det të hapur gjithë forcën tonë për ndryshim, për ndryshimin e vetes dhe të gjithë shoqërisë shqiptare.
Nuk mund të bëjmë ndryshe. Nuk kemi zgjidhje tjetër.
Kemi vetëm një rrugë për të ndjekur: Të realizojmë misionin tonë të madh politik për drejtimin e këtij vendi sipas standardeve evropiane dhe t'ia lëmë historisë qehallarët e nostalgjisë së të shkuarës që duan të na çojnë në humnerën e të ardhmes.
Ne jemi të gjithë dëshmitarë se partia jonë ka qenë dhe mbetet e hapur për çdo ide, mendim dhe veprim progresist. Idetë progresiste dhe njerëzit që i mbartin këto ide, kanë qenë të mirëpritur në partinë tonë, si në qeverisjen e saj, ashtu edhe në këto vite opozitë. PS ka demonstruar dhe vazhdon të demonstrojë se është e vetmja forcë politike në vend që nxit dhe pranon debat brenda radhëve të saj. Por kjo trashëgimi e çmuar e jonë, nuk mund të kthehet në një hapësirë ku fryma e përçarjes të mbizotërojë mbi kohezionin ku akuzat të keni prioritet mbi argumentet apo ku e drejta e gjithsecilit për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur të kthehet në mjet dhe qëllim përfundimtar pa asgjë tjetër përtej.
Fatin e drejtimit të PS e ka vetëm një trup, dhe kjo është anëtarësia socialiste. Pasi ajo të flasë të gjithë duhet të heshtim, për t'ju përkushtuar punës, për të cilën jemi mandatar apo do të mandatohemi politikisht.
Motra dhe vëllezër kam vetëm një thirrje, kam vetëm një lutje, kam vetëm një apel, ti shërbejë kongresi ynë konsolidimit të forcës sonë politike dhe udhëheqjes së PS drejt sfidave të së ardhmes.