Tiranë, 29 gusht NOA-Në pjesën e dytë të seancës së punimeve të Kongresit të Jashtëzakonshëm të socialistëve e ka marrë fjalën dhe kryetari në detyrë i Partisë Socialiste Edi Rama.
Rama ka theksuar se kjo ditë duhet të ishte ditë gëzimi por ndryshe nga çfarë mendoi elektorati i majtë, kjo nuk ndodhi.
Në analizën që i bëri rezultatit të zgjedhjeve të 28 qershorit, Rama e cilësoi procesin zgjedhor një krim mafioz të qeverisë, pasi sipas tij, shqiptarët votuan masivisht për PS.
"Historia u përsërit tamam ashtu siç i trembeshim.
Shumë ndër ju, shumë nga njerëzit e ndershëm vijimësisht na thonin votat tona janë për ju por Berisha do ti vjedhë", tha Rama.
Rama nuk kurseu akuzat dhe ndaj Ilir Metës i cili ndihmoi Berishën të mbetet në pushtet edhe pse Shqipëria i dha votën socialistëve.
"E vërtetë e hidhur, Berisha vodhi votat për të ricikluar pushtetin e tij të korruptuar falë dhe ndihmës së Ilir Metës.
Ne e fituam këtë garë. Shumica e popullit nuk votoi për ta. Populli opozitar votoi për largimin e Sali Berishës nga pushteti.
Ai s'do të bëhej më kurrë kryeministër sikur Ilir Meta të mos bënte horrllëkun që bëri dhe që ne e paraljmëruam kohë më parë", deklaroi Rama.
Rama theksoi se ai beson në bindjen që më 28 qershor Shqipëria kërkoi ndryshimin dhe nëse do të dyshonte qoftë dhe një fije të vetme nuk do të ishte sot në kongres për të kërkuar mbështetjen e kongresit për të rikandiduar për të qenë kreu i PS.
m.i/NOA