English

Kreu i NATO-s, Rasmusen tregon respekt në Turqi ndaj fesë Islame

Eliana Xhani

Stamboll, 29 Gusht NOA/AP/DPA - Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, gjatë një vizitë të enjten në Turqi, shprehu edhe njëherë respektin e tij për fenë Islame. Ai mbërriti në Turqi pas një qëndrimi në Greqi.

Turqia e kundërshtoi kandidaturën e Rasmussenit në krye të NATO-s për shkak të karikaturave të Profetit Muhamed

Ish kryeministri danez mori pjesë në mbrëmje, bashkë me përfaqësues të qeverisë turke në Ankara, në një Iftar, darkën tradicionale të ndërprerjes së agjërimit në perëndim të ditës, të besimtarëve myslimanë, gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.

Për një kohë të gjatë Turqia pati kundërshtuar kandidaturën e Rasmussenit në krye të Aleancës Atlantikoveriore, për shkak të karikaturave të Profetit Muhamed, të botuara në vitin 2006 në një gazetë daneze. Në polemikën mbi karikaturat Rasmusseni, atëherë kryeministër i Danimarkës, ishte distancuar prej tyre, por duke iu referuar lirisë së shtypit, kishte refuzuar të kërkonte falje. Vetëm pas ndërmjetësimit të Presidentit të SHBA-së Barack Obama, Turqia hoqi dorë nga pozicioni i saj bllokues, ndaj kandidatit të preferuar nga evropianët.

Kërkim i vonuar faljeje?

A ishin deklaratat e Rasmussenit një "kërkim i vonuar faljeje" ndaj ndjenjave të prekura të besimtarëve myslimanë në Turqi? Murat Çelikkafa, zëvendëskryeredaktor i Programit turqisht të radios Deutsche Welle, shpjegon:

"Një gjë duhet sqaruar që në fillim: Turqia nuk ka patur rezerva ndaj Nato-s, por ndaj personit të Rasmussenit. Si anëtar i vjetër i Nato-s, Turqia ka dëshmuar se është një partner i besueshëm. Kriza e pranverës së kaluar në lidhje me zgjedhjen e Rasmussenit në krye të Aleancës ka të bëjë me moskërkimin falje të tij për karikaturat në vitin 2006.Â

Kjo i preku ndjenjat e myslimanëve edhe më shumë. Dhe partia në pushtet në Turqi, AKP, dihet se është një parti me rrënjë islamike. Vërtet ajo ka një pozicion të moderuar, por e sheh veten edhe si zërin e myslimanëve.

Turqia si shteti i vetëm laik në botën islame ka një rol të veçantë dhe të rëndësishëm. Besoj se rezervat ndaj Rasmussenit si në gjirin e qeverisë turke ashtu edhe në opinionin publik në Turqi vazhdojnë të ekzistojnë.

Pjesëmarrja e Rasmussenit në iftar ishte pa dyshim një gjest shumë i bukur.

Deklaratat e tij: "Ju lutem shiheni vizitën time në këtë darkë si manifestim të qartë të respektit tim për fenë islame, si një nga besimet më të mëdha të globit", dhe "Unë kam respektin më të madh për ndjenjat fetare të myslimanëve", për mendimin tim vinin nga zemra. Unë besoj se edhe kryeministri turk i konsideron ato si një 'kërkim i vonuar faljeje'."

Sipas Çelikkafasë, vizitat në Turqi dhe Afganistanit të Sekretarit të Përgjithshëm të Nato-s shënojnë një fillim pozitiv të detyrës nga Rasmusseni:

"Vizitat e Rasmussenit në Afganistan dhe Turqi shënojnë një fillim pozitiv"

"Për shumë myslimanë në botë, Danimarka pas incidentit me karikaturat dhe protestave masive që pasuan, ishte imazhi i armikut. Si kryeministër i atij vendi Rasmussen ishte në shënjestër të ndjenjave armiqësore. Por kjo tani i përket së kaluarës. Mendoj se mund të jemi optimistë për të ardhmen. Sigurisht kriza të reja mes Perëndimit dhe botës islame duhen shmangur, pasi në botë ka mjaft vatra krize si Afganistani, Iraku, Lindja e Afërt apo Irani, ku Perëndimi dhe bota islame takohen. Besoj se vizitat e Rasmussenit në Afganistan dhe Turqi pak kohë pas fillimit të detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të Nato-s shënojnë një fillim pozitiv. Me kohë ky imazh pozitiv do të arrijë edhe te opinioni publik në Turqi dhe në botën islame."

Rasmusseni mbërriti në Turqi pas një qëndrimi në Greqi, ku u bëri thirrje të dy partnerëve të Alencës Atlantikoveriore, të sheshojnë kontradiktat mes tyre, për ishullin e ndarë të Qipros, pasi ato pengojnë punën e gjithë Aleancës. Gjatë ditës së premte (28.8.) Rasmusseni zhvilloi në Ankara bisedime politike.

Qeveria turke synon lidhje më të ngushta të NATO-s me botën islame

Ndërkaq qeveria turke në kuadër të vizitës së Sekretarit të Përgjithshëm të Nato-s, njoftoi se synon lidhje më të ngushta të Aleancës me botën islame. Ankaraja zyrtare i propozon Rasmussenit një konferencë mes Nato-s dhe Konferencës Islamike, bën të ditur gazeta turke "Zaman". Sekretari i Përgjithshëm i Konferencës Islamike, turku Ekmeleddin Ihsanoglu, e ka përshëndetur propozimin, njoftohet më tej. Diplomatët turq deklaruan se të dy organizatat do të dërgojnë përfaqësues.

KOMENTE