English

Kryeministri bën thirrje që vetë banorët të zgjerojnë kapacitetet e shtëpive për turistët

Dhërmi, 29 Gusht NOA - Gjatë vizitës në Bregun e Jonit, Kryeministri Sali Berisha ka përuruar dhe fillimin e punimeve për ndërtimin e rrugës së plazhit Dhërmi, me gjatësi rreth 15 kilometra dhe vlerë investimi 69 milionë lekë.

Berisha siguroi se Dhërmiu do të ketë një infrastrukturë tërësisht të re. Kurse i kërkoi Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve të bëjë projektet e rrugëve që kanë mbetur, në mënyrë që e gjithë zona e Bregut të ketë urbanizim të plotë, pasi ajo shfrytëzohet në çdo skaj të saj nga turistët.

"Ne duhet ta urbanizojmë tërësisht këtë zonë dhe kjo duhet të bëhet mundësisht para sezonit të ardhshëm turistik," u shpreh Kryeministri.

Në bashkëbisedim me autoritete e pushtetit vendor, Berisha kërkoi përmirësimin e furnizimit me ujë.

Sikundër po veprojmë me rrugët, ne, - tha Kryeministri - duhet të ndërtojmë edhe ujësjellës në çdo fshat të zonës, pasi ato janë qendra shumë të rëndësishme turistike.

Duke u ndalur në iniciativën më të fundit të qeverisë për të siguruar kredi të buta për rritjen e kapaciteteve akomoduese për pushuesit, Berisha tha se është jashtëzakonisht e rëndësishme që vetë banorët të zgjerojnë mundësitë e tyre pritëse, duke shtuar, aty ku munden, një kat apo një dhomë.

"Kapaciteti turistik i Bregut është 30 herë më i madh nga ai që shfrytëzohet sot. Vetëm Lukova ka 50 kilometër bregdet. Ndaj duhet të rrisim kapacitetet e banimit. Një nga mënyrat më të mira e të shpejta është që vetë banorët të zgjerojnë kapacitetet e shtëpive të tyre".

"Sikundër bashkisë së Himarës, Lukovës, Ksamilit, Sarandës, - vijoi Berisha, - qeveria do t'u disbursojë shumë shpejt fondet për të bërë planet urbanistike të rregullimit të tyre, ku do të përcaktojnë zonat e ndërtimit. Por, natyrisht, kjo kërkon një farë kohe, ndërsa plani për të ndërtuar një dhomë apo një kat më shumë është më i shpejtë".

/a.d/e.n/NOA/

KOMENTE