Tiranë, 29 gusht, NOA - Partia Socialiste zhvillon sot Kongresin e Jashtëzakonshëm të saj në të cilin përveç çështjes së diskutimit të ndryshimeve në statutin e saj, do të zgjidhet edhe dilema se cili do të jetë kryetari i ardhshëm i kësaj force politike.
Pasi do të merret në shqyrtim rezultati i 28 qershorit, 1500 delegatët e ftuar në Kongres do të votojnë për kryetarin e ri mes kandidaturave kryesore të Edi Ramës dhe Arben Malajt.
Ky i fundit mbështetet nga grupi i të ashtuquajturve "kundërshtarët" e Ramës, të cilët të kryesuar nga Ben Blushi kanë firmosur edhe një kërkesë për ndryshimet në statutin e Partisë Socialiste.
Bëhet e ditur se deri tani janë mbledhur 300 firma që mbështesin këto propozime dhe sot në kongres do të kërkohet që këto ndryshime të vihen në rendin e ditës për t'u votuar përmes një votimi të fshehtë. Ky grup kërkon ndryshimet e 10 pikave në statut, të cilat fokusohen kryesisht në përgjegjësinë e kryetarit në rast të humbjes së zgjedhjeve dhe forcimit të autonomisë së forumeve drejtuese.
Ndërkaq, në kongres do të lexohet edhe raporti mbi rezultatin e 28 qershorit, i cili do të lexohet nga kryetari i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi.
Ky raport do të analizojë procesin dhe do të shprehë vendimin e socialistëve për të mos njohur zgjedhjet e fundit parlamentare, si zgjedhje të manipuluara dhe të cenuara rëndë nga demokratët. n.e/NOA