English

Ruçi: Liridalja e disa të burgosurve, lidhet me vjedhjen e votave më 28 qershor

Tiranë, 29 Gusht NOA - Kryetari i Asamblesë së Partisë Socialiste (PS), Gramoz Ruçi, duke mbajtur fjalën hapëse sot në Kongresin e Jashtëzakonshëm akuzoi qeverinë se ka kryer manipulim të zgjedhjeve duke dhënë liridalje të përkohshme për disa të burgosur të rrezikshëm që tha se ndikuan në klimë vjedhjeje të rezultatit elektoral.

Ruçi në fillim të fjalës së tij tha se "kongresi mblidhet për dy qëllime kryesore: diskutimin dhe miratimin e vendimit të qëndrimit politik të PS-së për atë që ndodhi në zgjedhjet e 28 qershorit, si dhe administrimin e kandidaturave për kryetar të PS-së dhe caktimin e datës së votimit nga anëtarësia për zgjedhjen e kryetarit të PS-së".

Më tej, Ruçi u ndal gjatë në atë që e cilësoi proces të shkatërruar zgjedhor për shkak të manipulimit nga ana e qeverisë që pret të marrë një mandat të dytë me Berishën kryeministër por në koalicion këtë herë me forcën e dytë të së majtës, Lëvizjen Socialiste për Integrim të Ilir Metës.

Në fjalimin e tij, Ruçi tha se "idetë progresiste dhe njerëzit që i mbartin këto ide kanë qenë të mirëpritura në PS", duke shtuar se "kjo është e vetmja forcë politike që vazhdon të demonstrojë se nxit dhe pranon debat brenda radhëve të saj".

Në këtë pikë Ruçi paralajmëroi se "fatin e drejtimit të PS e ka në dorë vetëm anëtarësia socialiste" dhe shtoi: "Secili nga ne, anëtarët e PS duhet të analizojë faktet pse nuk mundëm të përballojmë dhe fitojmë këtë sfidë, si dhe duhet të identifikojmë të gjithë së bashku se çfarë nuk funksionoi si duhet në makinën tonë elektorale".

Kurse theksoi menjëherë më pas se "PS ka qenë dhe mbetet e hapur për çdo ide, mendim dhe veprim progresist, por kjo trashëgimi e çmuar nuk mund të kthehet në një hapësirë ku e drejta e gjithsecilit për t'u zgjedhur të kthehet në mjet dhe qëllim përfundimtar pa asgjë tjetër përtej".

Në përfundim të fjalës së tij, Ruçi shprehu bindjen se "pas këtij kongresi, ne do të ndihemi më të fortë, të pa përjashtuar dhe pjesë e atij angazhimi të madh intelektual që do të vazhdojë të japë shpresë për të ardhmen. Në këto zgjedhje politike ne nuk ishim përballë PD, por ishim përballë shtetit dhe në një përballje të tillë nuk mund të ketë rezultat zgjedhor të pranuar dhe të fituar".

e.n/NOA

KOMENTE