English

Dhe u nisëm…!

Nga Ilir Sefaj

Udhëpërshkrim

E kishim diskutuar shumë kohë më parë, së paku një muaj, po.

Do të shkojmë së bashku për të vizituar Shqipërinë. Me kaq e kishim përfunduar diskutimin tek restorant ‘Ambienti'.

Dhe u nisëm...!

Rrugës nuk ia kishim frikën (ka ikur...; he mos u ktheftë më ajo kohë kur kësaj rruge ia kishim frikën), dy të rinj prishtinas nuk i frikëson beteja, lere më se rruga jonë tashmë i ngjante një superstrade të cilën vendet perëndimore e kishin shijuar kohë më parë, mirëpo edhe tani nuk është vonë. Durimtarë jemi ne,, apo nuk është kështu?

Është paksa enigmatike, por kam përshtypjen se vetëm rrugëtimet të cilat bëhen me entuziazëm i përcjell shiu. Qoftë edhe nëse këto udhëtime bëhen verës, siç qe ky yni.

Nga Prishtina në Prizren, e për iftar. Për pak sa nuk i shpëtuam një dënimi nga një polic kureshtar i cili siç dukej kërkonte "gjahun" e tij. Më shumë se gjithçka tjetër (bile më shumë se muaji i shenjt i Ramazanit) na shpëtoi fakti se ne ishim udhëtarë, turistë, fjalë e pëlqyer kjo e fundit.

Dhe ja kufiri. Këtë fjalë e urrej tash e sa mot, e urrej edhe sot, por jo si dikur. Kjo fjalë më asocion gjithnjë në ndalesën (fatmirësisht tashmë formale) dhe kjo ndalesë më asocion në Shqipërinë. Mirëpo, ja që gjërat kanë ndryshuar tashmë. Shqipëria nuk është një Ndalu, nuk është një Stop për pjesën tjetër të kombit, për shqiptarët e Kosovës, për të cilët Shqipëria s'ishte veçse një mollë e ndaluar.

Ora shënon 23 e 30 minuta, sapo kemi thithur ajrin e pastër të qytetit të Tiranës. Hera e dytë në Tiranë. Dhe ja tek të bien në sy ndryshimet që kanë ndodhur kudo në Tiranë, kudo në Shqipëri. Zemra më bëhet mal. Tiranën qytetin tim, më vije ta gllabëroj të tërin, do ta fus në gjirin tim dhe do ta marrë me vete në Prishtinë. Një pjesë të këtij qyteti do t'ia falë babit tim, i cili ende nuk ka qenë në Tiranë, në Shqipëri. Jam i sigurt se edhe ai do ta vizitojë Tiranën, Shqipërinë. Seç më djeg një mall për ata që shkuan pa e parë Shqipërinë.

Për dikë do të mund të tingëllon paksa kreative, mirëpo të moshuarit (sidomos) e vendit tim luteshin: Mos vdeksha pa e pa Shqipërinë!Â

Kaq njëherë për njëherë!

Arditi ende po fle. Me siguri është i lodhur. Fjalën nuk e mbajti. Më kishte premtuar se do ngriheshim në orën 10. Tashmë ora shënon 11. S'ka gjë rruga e bën të vetën.

Të presim se çfarë do na shoqëroi këto ditë në Durrës, Tiranë, Shkodër..në Shqipëri.

Plazhi është plot, ai sikur nuk ka dëgjuar për muajin e shenjt, vapë e madhe xhanëm.

"Netë durrsake", seç vodha diçka nga Kuteli.

Durrësi ka vajzat më të bukura në Gadishull. Çdo hamendje karshi kësaj të vërtete është vetëm trill momenti. Në këtë pikë jemi të një mendje me Arditin. Thënë të vërtetën, këtë konstatim paksa e zbeh fakti se vajza nga Struga ishte më e bukura në plazh, por nëse flasim përgjithësisht, jemi pro konstatimit të parë.

Sot është e mërkurë. Jemi zgjuar akoma më vonë, Ja tek po nisemi për të bërë plazh. Ditët janë më diell. Moti është me ne. Gjithçka po shkon mbarë.

Me Vehbiun pronarin e shtëpisë ku ishim ndaluar për të kaluar ca ditë të bukura fundgushti, biseduam gjerë e gjatë për Shqipërinë e Enver Hoxhës, për Shqipërinë e demokracisë e për çka tjetër jo...Normal, sikur çdo debat edhe ky yni përmbante në vete replikat e tij....

Shkodra, djepi i kulturës shqiptare. Shkodrën e paramendoja paksa më konservatore, rrugëve të qytetit takoje shumë vajza të bukura (si kudo në Shqipëri) me minifunde, biçikletat të cilat ishin të shumta rrugëve të qytetit, e që i ngisnin edhe zonjushat me rrobe elegante lenin një përshtypje paksa interesante për të rinj prishtinas. Një darkë në një restorant bajagi të preferuar në pjesën e vjetër të qytetit, me njëmijë e dyzet lekë, nuk është keq.

Ora shënon 1 pas mesnate, dhe ja tek jemi përsëri në Durrës...Kemi nisur ta ndjejmë veten venali, durrsakë...

Sot është e premte 28 gusht ditët po ikin shpejt. Nesër do kthehemi në Kosovë. Me siguri edhe unë edhe Arditi në mendjet tona, në shpirtrat tanë, po edhe në bagazhet tona modeste do të marrin një pjesë të Shqipërisë.

E shtunë 29 gusht...Ja tek arriti momenti i kthimit...Mirupafshim xha Vehbiu, mirupafshim Durrës, mirupafshim Shqipëri....

KOMENTE