Elbasan, 30 Gusht NOA - Një vajzë e mitur po lufton me vdekjen në spital, pasi në gjendje të rënduar psikologjike ka tentuar t'i japë fund jetës duke u vetëhelmuar.
Ngjarja ka ndodhur sot herët në mëngjes në fshatin Gjocaj të rrethit Peqin pranë Elbasanit, informon korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA.
D.P., 13 vjeçe, lindur e banuese në Gjocaj, dyshohet se ka gëlltitur të paktën një tabletë fotoksinë.
Në gjendje kritike për jetën ajo është zbuluar nga gjyshja e saj e cila ka lëshuar alarmin.
E mitura është dërguar fillimisht në spitalin lokal, por për shkak të gjendjes kritike u transportua për në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ku mjekët thanë se ajo po lufton ende me vdekjen, për shkak të depërtimit të helmit në organet jetësore.
Nga hetimet e para që ka kryer policia, besohet se akti i vetëflijimit erdhi nga gjendja e rënduar psikologjike e 13-vjeçares.
Prej disa ditësh ajo përjetonte keq faktin që prindërit ishin ndarë dhe për më tepër, i ati kreu martesë të dytë me një tjetër grua që tani e tutje do të jetë njerka e saj.
a.k/e.n/NOA