English

Grabitje me dhunë në Skrapar, plagoset pronari i banesës

Çorovodë, 30 Gusht NOA - Një banesë është thyer me forcë dhe më tej është plaçkitur kurse pronari i saj në përpjekje për vetëmbrojtje ka mbetur i plagosur në qytetin e Çorovodës, informon korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA.

Ngjarja ka ndodhur në orët e para të ditës së sotme në lagjen "5 Shtatori" të qytetit të vogël në rrethin Skrapar, në banesën e familjes së D.Z.

Policia tha se në rrethana ende të paqarta, të paktën një person i pajisur me mjete të forta, dyshohet levë, ka hyrë me forcë në banesën e D.Z. Me synimin për të grabitur.

Në momentet që përpiqej të realizonte plaçkitjen e shtëpisë që ndodhet në katin e parë të një pallati pesëkatësh, grabitësi është pikasur nga pronari i cili i është sulur për të shmangur ngjarjen.

Në këto momente ka nisur përleshja, D.Z. ka pësuar plagë si rezultat i goditjeve me mjete të forta që ka marrë nga hajduti i dhunshëm.

Menjëherë më pas, agresori është larguar nga banesa duke u zhdukur në drejtim të paditur.

Pasditen e sotme, policia e qarkut Berat, konfirmoi për agjencinë e lajmeve NOA se ka arritur të identifikojë dhe arrestojë autorin e dyshuar të grabitjes, Eduard Gëzhilla, 39 vjeç, lindur e banues në qytetin e Çorovodës.

Ai akuzohet për vjedhje me dhunë të pasurisë së tjetrit dhe plagosje të lehtë me dashje.

Si prova të forta për akuzat, u sekuestruan një sasi bizhuterish të çmuara dhe 5 mijë lekë të rinj, që ishin vjedhur në banesën e D.Z.

Ndërkohë, i lënduari ka marrë mjekimin në spitalin lokal dhe më tej është kthyer në banesë.

/a.d/e.n/NOA/

KOMENTE