Tiranë, 30 Gusht NOA - Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ka ndërmend të preket aspak nga deklaratat e Edi Ramës një ditë më parë në Kongresin e Jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste, madje bindet edhe më shumë pas kësaj.
Pohimin e bëri sot në një dalje të posaçme për mediat, zëdhënësi i LSI, Ralf Gjoni, i cili vlerësoi se gjuha e përdorur nga Rama në Kongres ishte "tipike staliniste".
"Me këtë fjalim që mbajti dhe që ne dëgjuam, Edi Rama përforcoi edhe më tepër bindjen e Lëvizjes Socialiste për Integrim për aleancën e kryer me Partinë Demokratike", - deklaroi z.Gjoni.
Ndërkohë zëdhënësi i partisë më të madhe të koalicionit qeverisës pas PD, nuk kurseu fjalët fyese dhe epitete për Edi Ramën.
Gjoni e cilësoi kryetarin e PS dhe të Bashkisë së Tiranës si njeriu që prezantoi një fjalim skizofrenik dhe e konsideroi atë të papërgjegjshëm.
Madje Gjoni kërkoi që Rama të kërkojë falje për dëmin sipas tij që i bëri Kushtetutës, duke vijuar edhe një herë me akuzat për betonizim të kryeqytetit, betonizim që theksoi se e realizoi dhe në kongresin e PS.
e.n/NOA - Lexoni fjalimin e plotë të Ramës: U mundëm, por nuk humbëm