English

Policia, një pasion që zbehet lehtë

Nga Klodiana Kotorri

Policia përveçse një profesion për të jetuar, ishte një pasion për djemtë e rinj, kur rreth 150 prej tyre konkurruan vjet, për të fituar të drejtën për të qenë në radhët e Policisë së Shtetit.

Ata fituan studimet dhe pas javëve të shumta teori, të rinjtë hynë në praktikë fillimisht në Patrullën e Përgjithshme ku edhe do të paguheshin.

Pikërisht këtu fillon të zbehet edhe pasioni për të qenë inspektor policie apo fakti që një ditë do të bëheshin komisarë ose do të bënin karrierë në polici.

Rrinë me orë të tëra në terren të veshur me uniformën blu për të patrulluar në zonat që atyre u janë caktuar me qëllim evidentimin apo shmangien e ngjarjeve kriminale.

"U paguhem me 10 mijë lekë të vjetra në ditë, ose 300 mijë lekë të vjetra në muaj, ndërsa vetëm gjatë orarit të punës mund të harxhoj dyfishin e kësaj shumë, është e papërballueshme nuk mund të vazhdoj më ketë punë, aq më tepër ku dy vjet do të jem te Patrulla e Përgjithshme dhe kam shumë pak shpresë për të bërë karrierë" thotë një nga policët e rinj për agjencinë e lajmeve NOA i cili dëshiron të mbetet anonim.

Fakti që ata janë në terren i bën që të shpenzojnë shumë para, shpesh u ndodh të lëvizin me automjetet e tyre, të investigojnë apo të vëzhgojnë të dyshuarit nëpër lokale gjë e cila u shkakton jo pak harxhime.

Konstatimin e kësaj kostoje që të shkakton një punë e tillë, disa të rinj e kanë kryer pas rreth gjashtë muaj punë, ndërsa fill pas kaluan në terren kur dhe u lidhën me një rrogë, 30 studentë i thanë "lamtumirë" policisë ende pa e veshur uniformën e saj.

Një zyrtar i policisë së Tiranës tregoi se 30 studentët ishin të pakënaqur për rrogën prej 300 mijë lekë të vjetra.

"Në jetojmë me qira nuk mund të përballojmë jetesën me këtë rrogë aq më tepër që policia nuk të favorizon të bësh një punë të dytë. Më mirë po largohemi" tregoi zyrtari, fjalët e policëve të rinj.

"Por këto janë kushtet e policisë nëse i përballon qëndro nëse jo, je i lirë" kështu u përgjigj "presionit' të studentëve, zyrtari sipas së cilit nuk mund të ketë rritje rroge për një apo dy policë duke marrë në konsideratë varfërinë e tyre. Për të rrogat janë standarde sipas gradave.

Sidoqoftë këto kushte rrezikojnë lirimin e vendeve në polici edhe nga policë të tjerë që shprehen nën zë se dëshira e tyre është të largohen nga Policia e Shtetit sipas të cilave jo vetëm që nuk po ua mbush xhepat por po ua boshatis ato.

‘Nuk dua të humb kohë në polici dhe të kujtohem të largohem prej saj kur të mos kem më kohë për tu përgatitur për një profesion tjetër, më mirë të vendosësh që tashmë" shprehet një tjetër punonjës policie.

Por megjithatë ka edhe punonjës policie të kënaqur me detyrën, pasioni i së cilëve është më i fortë se nevoja për të përballur jetesën normalisht.

k.k/NOA

KOMENTE