Gjirokastër, 30 gusht NOA - Oficerët e antikrimit të organizuar në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastër arrestuan sot një vlonjate teksa ai po transportonte ilegalisht drejt shtetit grek katër persona.
Burime nga policia e Gjirokastrës thanë për agjencinë e lajmeve NOA se rreth orës 2:30 të mëngjesit të sotëm u kap 34-vjeçari Aranit Pashaj, lindur dhe banues në Vlorë.
Kapja e tij u krye në aksin rrugor Gjirokastër-Vrisera, në afërsi të fabrikës së Gjirofarmës, teksa ai ishte duke shoqëruar katë persona nga rrethe të ndryshme të vendit të cilët i kishte rekrutuar vetë dhe do t'i ndihmonte të kalonin kufirin për në shtetin Grek në mënyrë të paligjshme kundrejt fitimit 1500 euro për person, gjithsej 6000 euro.
Sipas policisë kapja e vlonjatet u bë i mundur mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative  nga ana e Specialistëve të Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër.
Pas informacioneve të siguruara ky sektor ngriti shërbime me qëllim verifikimin e të dhënave, që më pas çuan në arrestimin në flagrancë të 34-vjeçarit.
Nga veprimet hetimore të kryera, rezultoi se Pashaj vepronte i vetëm duke bërë rekrutimin e klandestinëve dhe më pas shoqërimin e tyre deri në thellësi të tokës greke, përmes kufirit të gjelbër, duke përfituar nga klandestinët shuma të konsiderueshme eurosh pas mbërritjes së tyre në destinacion.
Ai akuzohet për veprën penale të "Dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit me qëllim fitimi".
k.k/NOA