Shkup, 31 Gusht NOA - Rrjeti i Organizatave Shqiptare (RrOSh) mbajti tryezën e tretë të rrumbullakët. Në tryezë u vendos të inicohet çështja e dyshtetësisë për shqiptarët jashtë Republikës së Shqipërisë.
Meqë tryeza e parë, para një viti u mbajt në Tiranë, kurse e dyta para gjashtë muajve në Prishtinë, kësaj radhe takimi i organizatave shoqërore shqiptare u zhvillua në Shkup.
Tryezën e hapi Artan Grubi nga Lëvizja Qytetare ZGJOHU! Duke raportuar për punën e deritanishme të RrOSh.
Seanca e parë u mbajt në sallën e Kuvendit të Komunës së Çairit në Shkup. Ideja për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, në një takim të Rrjetit të Organizatave Joqeveritare Shqiptare, është vlerësuar si e dëmshme për popullin shqiptar. Në konferencë, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka folur edhe rreth situatës së krijuar në Kosovë, pas mundësisë që EULEX-i të nënshkruajë Protokoll bashkëpunimi me Serbinë. Ai tha se Lëvizja e tij do të vazhdojë ta kundërshtojë këtë protokoll: "Kurrë nuk do ta lëmë të qetë EULEX-in. Do të veprojmë kundër misionit, i cili gjithnjë e më shumë ka karakter të pushtetit kolonial", tha Kurti. Anëtarët e Vetëvendosjes të martën në Prishtinë kanë dëmtuar rreth 30 vetura të EULEX-it, ndërsa 20 pjesëtarët e kësaj lëvizjeje janë prangosur. Kurti tha se Vetëvendosja nuk është kundër pranisë ndërkombëtare, por kundër administrimit ndërkombëtar.
Më pas, folën Artan Grubi nga ZGJOHU!, Leart Kola nga Lëvizja MJAFT! në Shqipëri, Belgzim Kamberi nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut nga Bujanoci, Edlira Çepani nga rrjeti i studentëve shqiptarë në botë ASAN, Adri Nurellari nga Institut Liberal Shqiptar dhe Gentian Sala nga Klubi Kombëtar.
Ata paraqitën zhvillimet më të rëndësishme politike, ekonomike, shoqërore dhe kulturore në vendbanimet shqiptare në gjashtë muajt e fundit.
Pas këtyre prezantimeve pasoi diskutimi me të pranishmit dhe gazetarë të ndryshëm.
Në seancën e dytë u diskutuan aspektet organizative të RrOSh-it kurse në seancën e tretë u debatua për idetë e ndryshme për aktivitete në të ardhmen.
Me këtë rast, u vendos që për gjashtëmujorin në vijim të nis fushata për konsumimin e produkteve shqiptare me moton "Blej SHQIP", të vazhdohet turi me tubime publike nëpër universitete shqiptare në vjeshtë (kësaj radhe në Kosovë).
Gjithashtu u vendos të shënohet 101 vjetori i Kongresit të Manastirit më 22 nëntor, si dhe të shënohet me manifestime të ndryshme në Tiranë, Prishtinë e Shkup Dita e Flamurit më 28 Nëntor.
/z.r/e.n/NOA/