Nga Rajmonda Lajthia
Tiranë, 31 Gusht NOA Update - Pamundësia për të marrë një kredi për të blerë shtëpi si dhe fillimi i sezonit të ri shkollor, janë dy faktorët që kanë ndikuar në rritjen e tregut të qirave në kryeqytet.
Agjenci imobiliare të pyetura sot nga agjencia e lajmeve NOA, thonë se ka një kërkesë në rritje për të marrë një shtëpi me qira dhe pranojnë njëkohësisht, se ky fakt ka ndikuar në një rritje të lehtë të çmimit të banesave.
Kërkesa është rritur me 10-15 për qind vetëm gjatë muajit gusht që po mbyllet.
Gjin Biba përfaqësues i një agjencie imobiliare në Tiranë thotë se kredidhënia këto muajt e fundit ka qenë me terma të shtrënguara dhe ky fakt ka detyruara njerëzit që të vijojnë të qëndrojnë në banesa me qira.
Ndërsa Eduard Ibrahimi, një tjetër përfaqësues agjencie të shitblerjes së pasurive të patundshme në Tiranë, është i mendimit se njerëzit nuk e kanë më as kuotën e 30 për qind të parave që u duhet për të marrë kredi.
Sipas Ibrahimit, ky fakt i ka stepur ata që t'i drejtohen bankës për të blerë shtëpi edhe në rastet kur mund të mos përballen me pengesa të forta nga ndonjë prej bankave private. Kjo situatë sipas Ibrahimit, ka stimuluar tregun e qiradhënies. Por ajo që i ka dhënë një shtysë këtij tregu në këtë fund muaji është sezoni shkollor.
Në morinë e universiteteve shtetërore dhe private në Tiranë, fluksi i kërkesave të studentëve për banesa me qira është i lartë.
"Ky fakt ka detyruar prindërit që të sjellin fëmijët nga rrethet në kryeqytet për të jetuar, në pamundësi për të përballuar konviktin e shkollës", - thotë Ibrahimi.
Bë muajt shtator-tetor, pritet të jetë piku i sezonit për sa i përket këtij tregu. Ndërsa për shitjet e banesave, agjencitë janë të mendimit se çmimi i apartamenteve nuk parashikohet të bjerë.
r.l/e.n/NOA