English

Emri i Maqedonisë, Shkupi i frikësohet vetos së Greqisë për integrimin në BE

Shkup, 31 gusht NOA-Shefi i diplomacisë maqedonase, Antonio Milososki, ka frikë se Greqia do të mund t'ia bllokojë vendit të tij afrimin në BE, njësoj sikurse që bëri me hyrjen e Shkupit në NATO.

Në deklaratën për agjencinë Reuters, Milososki vlerësoi se Greqia po ashpërson qëndrimin ndaj Maqedonisë rreth çështjes së emrit, të cilën e shprehu edhe nëpërmjet vetos duke penguar hyrjen e fqinjit të saj verior në NATO.

"Ata (grekët) po e ashpërsojnë pozicionin.

Na shqetëson mundësia e ndodhjes së bllokadës së dytë greke, kësaj radhe në lidhje me përafrimin tonë në BE", theksoi Milososki, i cili ndodhet në Slloveni, në konferencën rajonale kushtuar sigurisë.

Maqedonia kërkesën për anëtarësim në BE e ka bërë në vitin 2005, por ende nuk i ka filluar negociatat preliminare.

Komisari i BE për Zgjerim, Olli Rehn, deklaroi muajin e kaluar se ky dialog do të mund të fillonte për disa muaj, megjithëse Milososki ka frikë se kjo nuk do të ndodhë.

"Për shkak të situatës jostabile politike në Greqi, ekziston një mundësi më e madhe që ata të vendosin për bllokadën e dytë ndaj Maqedonisë", theksoi ai.

Milososki njëkohësisht deklaroi se shpreson që i dërguari i OKB për kontestin greko-maqedonas, Mattheë Nimetz, do të ofrojë së shpejti një zgjidhje të re për arritjen e kompromisit.

"Ne në Maqedoni jemi të gatshëm që të bëjmë edhe disa përpjekje për t'u ardhur deri tek kompromisi"', sqaroi Milososki.

m.i/NOA

KOMENTE