Durrës, 31 gusht, NOA - Eshtë vetëm 16-vjeç, por kaq duket se i ka mjaftuar për të drejtuar një makinë pa patentë, madje të shkaktojë edhe një aksident me pasojë plagosjen e një personi.
Burime policore nga drejtoria e Durrësit, thanë sot për agjencinë e Lajmeve NOA, fjala është për personin me iniciale L.M, banues në Durrës, i cili dyshohet të jetë autor i aksidentit në rrugën "Taulantia" të këtij qyteti, me mjetin që drejtonte tip "Golf" pa targa.
Bëhet e ditur se si pasojë e këtij aksidenti, ai ka plagosur 13-vjeçarin me iniciale L.D, lindur dhe banues në Durrës, sikundër thuhet edhe se drejtuesi i mjetit pasi ka bërë aksidentin është larguar menjëherë nga vendi i tij.
Pas aksidentit, i dëmtuari është dërguar në spitalin e Durrësit ku dhe ndodhet i shtruar jashtë rrezikut për jetën.
Ndërsa, automjeti tip golf pa targa është gjendur i braktisur në lagjen nr.1 të Durrësit ku u bë bllokimi dhe sekuestrimi i tij në pikën e automjeteve në Rrazhbull.
Po punohet për kapjen e autorit të këtij aksidenti, ndërsa materialet do t'i dërgohen prokurorisë së Durrësit për veprën penale të "Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugore" dhe "Largim nga vendi i aksidentit", "Drejtim i automjetit pa dëshmi aftësie", vepër penale e parashikuar nga nenet 290/1 273 e 291 të Kodit Penal.
n.e/NOA