Prishtinë, 31 gusht NOA-Ministri Jeremiç nuk mund ta pengojë diplomacinë kosovare të depërtojë në botë. Përpjekjet e tij janë të kota. Ashtu sikurse është e kotë edhe ofensiva e Beogradit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Bashkë me Presidentin do të shkojmë në New York, ku do të realizojmë afërsisht dyzet takime. Njohje të reja pritet të vijnë në adresë të institucioneve të Kosovës. Ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, flet për Express.
Nga Përparim Isufi
Diplomacia e Kosovës është duke bërë përgatitjet e fundit për ngjarjen më të madhe diplomatike botërore të vitit - Asamblenë e Përgjithshme të OKB'së e cila fillon punimet më 15 shtator, në selinë e organizatës në New York. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni do ta përbëjnë delegacionin kosovar, i cili duke mos pasur të drejtë të marrë pjesë në punimet e asamblesë, do të mundohet që në margjina të kësaj ngjarjeje të shpërthejë murin e trashë që ndan Kosovën me shtetet që ende nuk e kanë pranuar atë. Ethet diplomatike për këtë ngjarje tashmë janë duke u ndjerë në Prishtinë, njëjtë sikur edhe në Beograd. Në një intervistë për Express, Shefi i diplomacisë kosovare, Skënder Hyseni thotë të ketë kërkuar takime me delegacione nga rreth 80 shtete, shumica nga të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës. Nga këto kërkesa ai pret përgjigje pozitive nga, të paktën, gjysma e tyre. "Kemi bërë kërkesa zyrtare nëpërmjet kanaleve zyrtare për më shumë se 80 takime të ndryshme në nivel presidencial dhe ministror dhe tashmë kemi filluar të marrim konfirmime për një numër takimesh", thotë Ministri Hyseni. Nga ana tjetër, Ministri serb i Punëve të Jashtme, Vuk Jeremiç, ka filluar përpjekjet për ta penguar diplomacinë kosovare në këtë ngjarje. Jeremiç ka qenë ditëve të fundit në New York dhe është munduar t'i bindë shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, të vazhdojnë ta mbajnë këtë qëndrim. Ai ka thënë se është takuar me ambasadorët e Rusisë, Brazilit, Afrikës së Jugut, Indonezisë, Nigerisë dhe Vietnamit për të biseduar për Kosovën, të cilën Jeremiç e cilëson temë kryesore preokupimi të diplomacisë serbe. Në fakt, shtetet që i ka përmendur Jeremiç njihen si mbështetëset më të mëdha të kauzës serbe për të minuar pavarësinë e Kosovës. Nga perspektiva e Prishtinës zyrtare, Skënder Hyseni thotë se homologu i tij serb e ka krejt të kotë përpjekjen e tij. "Janë përpjekje të kota, sepse përpjekjet diplomatike të Kosovës mund të ngadalësohen aty-këtu ndonjëherë, por asnjëherë të pengohen", thotë i bindur Ministri Hyseni. "Nuk e vë në dyshim përpjekjen e tyre për të penguar diplomacinë e Kosovës. Do të befasohesha sikur të ishte ndryshe", shprehet ai. Që nga sesioni i fundit i Asamblesë së Përgjithshme të OKB'së, Kosova ka marrë 15 njohje të reja nga shtetet nëpër botë si dhe ka fituar anëtarësinë në dy organizatat më të mëdha financiare botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore. Por kjo është larg asaj që institucionet e Kosovës kanë pritur. "Presim gjithsesi që të gjitha këto takime të rezultojnë me veprime konkrete nga ana e disa shteteve në intensifikimin e procedurave për njohjen e Kosovës shtet i pavarur. Të gjitha përgatitjet e mundshme janë bërë dhe asgjë nuk do të jetë mangut për shkak të mospërgatitjes", thotë Ministri Hyseni. Arsyeja për ngadalësimin e procesit të njohjeve shihet te procesi që po zhvillohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Në fund të këtij viti, kjo gjykatë do të iniciojë dëgjimin e palëve në procesin gjyqësor të kërkuar nga Serbia për të dhënë një opinion këshillëdhënës nëse shpallja e pavarësisë së Kosovës ka qenë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Ministri Hyseni thotë se diplomacia e Kosovës ka projektuar objektiva afatgjata dhe afatmesme, në të cilat ka vendosur pikërisht rritjen e numrit të njohjeve të shtetit dhe përballjen me Serbinë në GJND. "Diplomacia jonë nuk udhëhiqet nga lëvizjet ditore që bëhen për konsum ditor dhe për përshtypje publike. MPJ'ja është shumë e vetëdijshme për këto objektiva që i ka vënë vetes. Në këto objektiva bëjnë pjesë edhe njohja ndërkombëtare e Kosovës, edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë rreth së cilës MPJ'ja dhe ministri si koordinator nacional te kjo gjykatë, është duke bërë punë të jashtëzakonshme", thotë Shefi i diplomacisë së Kosovës, i cituar sot nga "Express". Qëndrimi në New York vjen vetëm dy javë pas një vizite të Hysenit në Turqi, ku ai, ndër të tjera, kërkoi nga diplomacia e Ankarasë ta ndihmojë Kosovën në lobim për njohje të reja nga shtetet arabe. Ai është kthyer të shtunën me mjaft optimizëm nga Turqia. "Një bashkëpunim i shkëlqyeshëm mes vendeve tona tashmë ekziston, por duhet të thellohet në të gjitha rrafshet, duke përfshirë edhe bashkëpunimin e koordinimin në fushën e diplomacisë. Te Republika e Turqisë, Kosova ka një mik të madh dhe një partner afatgjatë strategjik", shprehet Hyseni. Deri më tani, parashikimet për numrin e njohjeve janë gjëja që më së paku i ka shkuar për dore diplomacisë kosovare. I mësuar me mosrealizimin e pritjeve të tij dhe të të tjerëve, ministri Hyseni nuk preferon të flasë me shifra. "Nuk dua të jap parashikime. Njohjet do të vijnë atëherë kur do të vijnë. Ajo që ka rëndësi është se shumë punë po bëhet për të sjellë njohjet e reja. Kur do të vijnë, është diçka që mbetet në diskrecion të vetë shteteve që do ta njohin Kosovën", thotë ai.
Â