English

Sri Lanka dënon një gazetar më 20 vjet burg

Sri Lanka, 31 gusht NOA-Një gazetar nga Sri Lanka, i cili është cilësuar dhe nga vetë presidenti amerikan, Barack Obama si shembull i përndjekjes së gazetarëve në gjithë botën, është dënuar sot më 20 vjet burg, nën akuzat se ka shkelur ligjet e ashpra anti-terroriste të vendit.

Në artikujt të cilat J. S. Tissainayagam i botoi në vitet 2006 dhe 2007 në revistën Northeastern Monthly, ai kishte kritikuar luftën e forcave të qeverisë kundër kryengritësve tamilë, duke akuzuar qeverinë se si mjet të luftës kundër kryengritësve po shfrytëzon edhe ndalimin e furnizimit me ushqim të rajoneve me popullatë shumicë tamile.

Dënimi i Tissainayagam, 17 muaj pas arrestimit të këtij gazetari tamil, është dënimi i parë i një gazetari nën akuzat për shkelje të ligjeve anti-terroriste.

Grupet për të drejta të njeriut kanë akuzuar qeverinë e Sri Lankës se ka ndërmarrë masa për të kufizuar lirinë e shtypit që nga muaji maj, kur qeveria arriti të mposhtë kryengritësit tamilë, duke i dhënë fund luftës qytetare, e cila ka zgjatur 25 vjet.

Tissainayagam, i cili nga organizata Amnesty International është cilësuar si një i burgosur i ndërgjegjes, është arrestuar në mars të vitit 2008 dhe është paditur pesë muaj më vonë.

m.i/NOA

KOMENTE