Mitrovicë, 31 gusht NOA-Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Lamberto Zannier tha se UNMIK-u është i përkushtuar për të mundësuar kthimin e të gjithë të zhvendosurve në pronat e tyre.
Zoti Zannieri i bëri këto komente në Mitrovicë, qytetin në të cilin janë rritur tensionet ndëretnike pasi grupe të serbëve tash e disa ditë po pengojnë rindërtimin e shtëpive të shqiptarëve.
Ditën e hënë dështuan përsëri përpjekjet e banorëve shqiptarë për të vazhduar punimet për rindërtimin e shtëpive të tyre në një lagje në veriun e Mitrovicës, të banuar me shumicë serbe.
Kordoni i policisë ka penguar banorët që të depërtojnë në afërsi të pronave të tyre.
Rindërtimi i shtëpive të shqiptarëve po kundërshtohet nga fqinjët serbë.
Këta të fundit ditë më parë kanë sulmuar me gurë punëtorët shqiptarë dhe kanë shtënë më armë zjarri në drejtim të tyre.
Tensionimi i gjendjes në veri të Mitrovicës ka bërë që shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier të vizitojë sot këtë qytet.
Pas takimeve me kryetarin e komunës, Bajram Rexhepi, zoti Zannieri tha se Kombet e Bashkuara respektojnë të drejtën e të gjithë të zhvendosurve për t'u kthyer.
Ai premtoi angazhimin e UNMIK-ut për krijimin e kushteve të nevojshme të sigurisë për kthimin e shqiptarëve në veri.
Për këtë zoti Zannieri tha se do të bisedojë me të gjitha palët, ndërsa kërkoi edhe respektinin e procedurave administrative.
Ndërkohë përfaqësues të serbëve në veri të Mitrovicës i kanë thënë BBC-së se kthimi i shqiptarëve nuk mund të bëhet pa pëlqimin e komunitetit serb dhe pa kthimin e serbëve në jug të Mitrovicës apo pjesët tjera të Kosovës.