Bon, 31 gusht NOA-Zyrtarë të lartë të Partisë Konservatore të kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel, kanë tërhequr sot vërejtjen se humbjet e mëdha, janë një thirrje për zgjim, më pak se një muaj para zgjedhjeve të përgjithshme dhe një shenjë se konservatorët duhet të fillojnë një fushatë më agresive.
Në prag të zgjedhjeve të 27 shtatorit, konservatorët kanë një epërsi dyshifrore në anketa ndaj rivalëve të tyre socialdemokratë dhe duket se Merkel do të ri-zgjidhet kancelare.
Por, mbetet e paqartë se a do të jetë ajo në gjendje të formojë qeverinë e qendrës së djathtë me partnerët e saj të preferuar liberalë nga radhët e FDP-së apo a do të jetë sërish të formojë një koalicion të madh me SPD-në.
Të dielën, konservatorët e Merkelit pësuan një goditje të dyfishtë, pasi përkrahja për ta shënoi një rënie prej 10 për qind në dy shtete: në Saarland dhe në Thuringen.
Udhëheqësit e CDU-së në këto dy shtete mund të përmbysen nga pushteti nga ana e koalicioneve të partive të majta, por duket se CDU do ta ruajë pushtetin në shtetin e Sachsenit, me gjasë në koalicion me FDP-në.
Konservatorët frikësohen se në fazën finale të fushatës për zgjedhjet e përgjithshme përkrahja për ta mund të shënojë sërish rënie, siç ka ndodhur në vitet 2002 dhe 2005.