English

BE pajtohet me idenë që EULEX të firmosë protokoll akordi me Serbinë

Bruksel, 1 shtator, NOA - Sezoni i ri i punëve në BE do të nisë me diskutime të nxehta për Kosovën.

Bashkimin Evropian pajtohet me idenë që misioni i tij në Kosovë, EULEX dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë të nënshkruajnë marrëveshje të bashkëpunimit policor, raporton agjencia beogradase e lajmeve Beta.

Sipas kësaj agjencie, burime në Bruksel i kanë thënë se është vetë Kushtetuta e Kosovës që i mundëson një gjë të tillë EULEX-it. Zyrtarë të BE-së i referohen pikës së Kushtetutës që flet për pakon e Ahtisaarit dhe prezencën civile ndërkombëtare në Kosovë, për të justifikuar vendimet e EULEX-it. Në kryeqytetin evropian e vlerësojnë si kruciale arritjen e kësaj marrëveshje si parakusht për heqjen e vizave për qytetarët e Serbisë prej 1 janarit të vitit të ardhshëm.

Gjithashtu, atje thuhet se marrëveshja e tillë duhet të shikohet në prizmin e luftës kundër krimit të organizuar. I dërguari i posaçëm i BE-së në vend, Pieter Feith, është nisur në Bruksel për këtë çështje. Ai nesër do të raportojë refuzimin kosovar në raportin që do t'ia paraqesë anëtarëve të Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Parlamentit Evropian. Kjo do të jetë hera e parë që Feith raporton, pas ndërrimit të legjislaturës evropiane. Feith e Kermabon javën e kaluar e morën JO-në përfundimtare për protokollin nga presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaci, që thanë se e mbyllin çdo diskutim për çështjen. Prezenca evropiane në Kosovë tha se për hapat e ardhshëm pritet vendimi i Bashkimit Evropian në Bruksel. Protokolli i bashkëpunimit të EULEX-it me Serbinë është kundërshtuar nga e gjithë skena politike kosovare, si dhe nga lëvizja "Vetëvendosje" që sulmoi 28 vetura të misionit evropian, për të cilën aktivistët e saj u dënuan me 30 ditë paraburgim.

NOA-INA

KOMENTE