Ndiqni dhe konferencën e plotë për shtyp
Tiranë, 1 shtator NOA - Kryeminsitri Sali Berisha deklaroi se ai nuk ka ndërmend të drejtojë parlamentin e ri më 7 shtator në seancën e parë edhe pse rregullorja e përcakton një gjë të tillë.
Për vetë faktin se Berisha është deputeti më i moshuar në Kuvendin e ri, i takon atij që të drejtojë seancën e parë të sesionit të parë të legjislaturës së re.
Por Berisha mbrëmë paralajmëroi se nuk do ta bëjë një gjë të tillë.
"Privilegji më takon mua. Kjo është e vërtetë, por këtë privilegj nuk do ta shfrytëzoj, sepse më pengon një parim themelor, nga dy-tre parimet më themelore të kushtetutave demokratike, ai i ndarjes së pushteteve dhe nuk dua të krijoj edhe përshtypjen më të vogël të mosrespektimit të këtij parimi themelor kushtetues, demokratik. Pra, në aparencë më takon, por, në thelb, më pengon parimi i ndarjes së pushteteve", - ishte pohimi i kryeministrit dhe kryetar i Partisë Demokratike.
e.n/NOA
Më poshtë, vijon konferenca e plotë për shtyp:
"Kongresi i një partie të madhe është një ngjarje e rëndësishme jo vetëm për forcën politike të cilës ai i përket, por për të gjithë vendin. Mirëpo ndodhi ajo që ju e dëshmuat vetë. Kryetari i kësaj partie u paraqiti kongresmenëve atë realitet që, në mënyrë absolute, asnjë shqiptar nuk e pranon për të tillë. Edi Rama, në ligjëratën e tij prej 50 minutash, u foli shqiptarëve - për veten e tij i mori i mori valët e ekraneve tuaja - për një realitet fund e krye të trilluar për interesat më të ngushta personale. Pas Kongresit, ka dy ditë që del në bahçe me të njëjtat teza.
Unë nuk jam këtu për të komentuar atë, nuk jam këtu për të ndërhyrë qoftë edhe në mënyrën më minimale në punët e brendshme të kësaj force politike apo të ndonjë force tjetër politike. Absolutisht jo. Unë mbeta shumë i lënduar aspak nga ligjërata e tij, sepse ajo nuk kishte të bënte as me mua, as dhe me një qytetar shqiptar, por kishte të bënte me ato kongresmenë që do të votonin. Thellësisht i lënduar mbeta nga censura që ai i rezervoi kundërshtarëve të tij. Mirëpo Partia Socialiste, si një parti, e cila në background-in e saj ka Partinë e Punës së Shqipërisë, ishte shkëputur nga censura dhe u rikthye sërish. Unë i them z. Rama se ne, si politikanë, duhet të turpërohemi që në momentin kur ne mund të na shkojë ndërmend censura, jo më ta aplikojmë atë ndaj kundërshtarëve tanë. Kaq është komenti im, sepse ishte e shëmtuar kur Rama ndiqej nga kamerat edhe në puthje e përqafimet e tij me kongresmenë, ndërsa kundërshtarët e tij vendoseshin në shurdhi e në terr të plotë. Por shpresoj që kjo të mos përsëritet më.
Ajo që dua t'u them sot shqiptarëve është kjo: Edi Rama ka një qëllim të vetëm, të pengojë me sa të mundet lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë. Ai e di që muajt afërt që vijnë janë muajt e këtij vendimi. Ai nuk e ka problemin tek zgjedhjet. Ai po e përdor këtë për interes tmerrësisht të ngushtë personal, sepse zgjedhjet e 28 qershorit ishin zgjedhjet e para në historinë e këtij vendi, në të cilat sistemin zgjedhor e vendosi opozita dhe jo qeveria, ishin zgjedhjet e para në historinë e këtij vendi, në të cilën Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u zgjodh me konsensus të plotë, ishin zgjedhjet e para në historinë e këtij vendi që u zhvilluan me infrastrukturë bashkëkohore, më moderne të kohërave, ishin zgjedhjet e para, në të cilat çdo votë u numërua duke u fotografuar, filmuar dhe arkivuar në arkivin dixhital të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ishin zgjedhjet e para që shqiptarët kanë zhvilluar në historinë e tyre, kur në 4700 komisione në çdo qendër votimi, përveçse në 14 qendra, në të gjitha të tjerat, pa asnjë përjashtim, rreth 20 mijë komisionarë të të gjitha forcave politike kanë firmosur bashkërisht çdo procesverbal dhe rezultat pa vërejtjen edhe më të vogël. Në emër të ligjit dhe përgjegjësisë para ligjit, ata kanë bërë atë që nuk është bërë në asgjë zgjedhje tjetër deri më sot. Kjo është një nga arritjet më të mëdha në historinë e këtij vendi. Këto ishin zgjedhjet e para në historinë e vendit, në të cilat ka pasur vetëm 18 ankesa paselektorale, kundrejt 410 ankesave në zgjedhjet e vitit 2005. Këto ishin zgjedhjet e para në historinë e vendit, në të cilat anëtarët e KQZ-së votojnë 7 me 0 për çdo mandat. Këto ishin zgjedhjet e para në historinë e vendit, në të cilat, po të shfletosh tërë arkivin tuaj dhe ju bëj thirrje ta shfletoni, kontrolloni dhe krahasoni këtë arkiv me atë të të gjitha zgjedhjeve të tjera, nuk ekziston as edhe nota më e vogël negative e faktuar. Këto ishin zgjedhjet, në të cilat shqiptarët votuan në vullnetin e tyre të plotë.
Prandaj, të dashur qytetarë, ai nuk e ka problemin tek zgjedhjet, por problemin e ka një dhe vetëm një: të pengojë lëvizjen tuaj të lirë, sepse mendon se në këtë mënyrë do të dëmtojë qeverinë. Një miop i vërtetë politik. Unë dua t'i garantoj qytetarët shqiptarë se qeveria ime mbetet tërësisht e hapur për bashkëpunim luajal me opozitën, për respekt të plotë ndaj saj, por dua të garantoj gjithashtu qytetarët shqiptarë se aq sa zoti Rama pengoi me bilbila e bori firmosjen e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në vitin 2006, po aq do të mund të pengojë procesin e liberalizimit, të heqjes së plotë të vizave dhe lëvizjen tuaj të lirë. Por akti është i shëmtuar. Ju e dëgjoni si luan kukafshehthi me parlamentin dhe institucionet. Unë i them z. Rama: merr cilindo vendim që ta gjykosh të arsyeshëm. I sigurt të jesh se nuk do të mund të penalizosh shqiptarët dhe shoqërinë shqiptare.
Këtij zotërie i duhet për të bindur mbështetësit e tij se zgjedhjet i humbi për shkakun tim. Absolutisht po. Unë fitova zgjedhjet me rregullat më të ndershme që kam ndjekur dhe të dalë një qytetar shqiptar të më thotë ndryshe dhe e garantoj z. Rama se sërish do t'i rezervoj të njëjtin fat. Përse do të thonë? Ai ka një perceptim realiteti tërësisht sui gereris. Nuk po hyj në epitete të tjera, por ai ka aftësinë ta perceptojë realitetin dramatikisht në drejtim të kundërt me atë që është. Atëherë unë nuk mund t'i jap leksione për logjikën, nuk mund t'i jap as edhe në psikologji. Historia e tij është nga disfata në disfatë.
Duke respektuar çdo lloj vendimi që Edi Rama do të marrë, e garantoj se qeveria mbetet plotësisht e hapur për bashkëpunim luajal me opozitën. Sikundër i sugjeroj të nxjerrë mësimet. Me bori dhe bilbila u bë gazi i Europës. Marrëveshja u nënshkrua. Edhe më këto marrëzira që nxjerr përditë, - unë në fillim mendova se i ka nga sindromi i pikëllimit - absolutisht dëmton vetëm veten e tij.
Qëkur ka ndodhur rënia në krye të detyrës e katër oficerëve të policisë, ky zotëri harron se Dritan Dajti është në vuajtje dënimi, mendon se me tezën e kriminelit do të mund të damkosë zgjedhjet. Ai ka një deficit të theksuar në logjikë. Dritan Dajti nuk iku, u prangos. Vërtet ranë katër oficerë policie, por ranë në emër të tolerancës zero ndaj krimit. Tani ai flet për të burgosurit. Zotëri, ky është një vend demokratik. Absolutisht të gjithë të burgosurit kanë të drejtën e votës. Çdo javë e çdo muaj u është dhënë dhe do t'u jepet leje për të shkuar në shtëpinë e tyre. Në parlament, ne kemi votuar ligjin e vuajtjes alternative të dënimit. Zotëri, nëse ke raste konkrete paraqiti. Nuk ekziston asnjë raport dhe asnjë ankesë për asnjë prej tyre, që u liruan përkohësisht me leje, që të ketë bërë ndërhyrjen më të vogël. Ka raste, të dyfishojmë dënimin, të propozojmë ligj për këtë. Por të akuzosh vetëm e vetëm se janë vuajtës dënimi, kjo është totalisht e papranueshme dhe shumë primitive. Ne ju thamë emrin, i cili doli dhe u bë bodyguard i një prej eksponentëve kryesorë të Partisë Socialiste. E morëm dhe e kthyem aty ku ishte. Jep emër, thuaj kush ishte. Ata vërtet kanë kryer një vepër penale, disa prej tyre shumë të rëndë, disa të tjerë më pak të rëndë, por janë në institucion të vuajtjes së dënimit, në institucion riedukimi. Shoqëria nuk mund të udhëhiqet nga ndjenja e urrejtjes ndaj tyre. Shoqëria ka një detyrim. I ka dënuar, i privuar nga liria e lëvizjes e të tjera, por në rast se ka rast konkret të dalë e të paraqesë dokumentin më të vogël. Del çdo ditë dhe nuk thotë as edhe faktin më të vetëm.
Ndaj edhe një herë dua t'i jap një sugjerim z. Rama: hiq dorë nga ideja se ti mund të dëmtosh për qëllime personale procesin e integrimit evropian. E ke provuar. Sapo partnerët tanë evropianë do ta kuptojnë se ti e bën këtë për qëllime personale, do të marrin ato vendime që morën në vitin 2006, me gjithë bilbilat dhe boritë e tua."
Pyetje: Partia Socialiste duket se po shikon mundësinë e bojkotit të parlamentit. Duke qenë se presim që ministrat e Jashtëm të BE-së të shqyrtojnë kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat, a do të ketë ndikim negativ ky vendim i partisë Socialiste?
Edhe njëherë kam bindjen time më të thellë se ky është një kalkulim i gabuar i z. Rama, fatkeq i tij. Natyrisht që bën një figurë të keqe, por, nga ana tjerë, unë kam bindjen më të plotë se ministrat e Jashtëm të BE-së dhe asnjë institucion nuk do të mendojë ndonjëherë të ndëshkojë apo të penalizojë një vend apo një komb për interesa personale të një personaliteti politik të atij vendi, jashtë çdo lloj konteksti.
Nga mënyra se si flisni duket se qeverisja 4 vjeçare e Partisë Demokratike do të jetë e qetë, por megjithatë z. Kryeministër, ku e bazoni këtë qetësi tuajën, duke pasur parasysh se opozita e ka bërë të qartë se nuk do të futet në Kuvend, do të kërkojë zgjedhje të parakohshme, plus faktit që aleati juaj kryesor LSI nuk i ka shumë mirë punët me të vetët.
Së pari, në këtë kontekst, unë mund t'ju garantoj ju se shqiptarët më 28 qershor themeluan një nga koalicionet më të suksesshme dhe eficente që ata kanë njohur në historinë e vendit. Zoti Meta sot bëri fjalë për 2013. Unë mund t'ju garantoj ju edhe për 2021. Ky është një koalicion, i cili ka të gjithë prerogativat, maturinë, ekspertizën, vullnetin e hekurt për t'i dhënë vendit qeverisjen më të mirë, më eficente, për të shtyrë përpara projektin e madh, ëndrrën e integrimit europian të shqiptarëve. Në çdo parti ka diskutime, por unë nuk ndërhy në diskutimet e asnjë force politike. Kjo është jashtë kulturës sime politike.
Duke pasur parasysh që jemi vend anëtar NATO-s, dua tu drejtoj këtë pyetje: Kohët e fundit janë shtuar zërat që Uashingtoni mund të lëvizi mburojën raketore nga Polonia, Çekia, ndoshta në Ballkan. A ka pasur ndo një kërkesë të tillë për Tiranën, ose ka pasur bisedime midis Uashingtonit dhe Tiranës dhe cili është qëndrimi i Shqipërisë lidhur me këtë çështje?
Nuk ka pasur as edhe një kërkesë të vetme nga Uashingtoni për një vendosje të tillë. Ka një qëndrim konstant të Kryeministrit shqiptar se Shqipëria është e vendosur për bashkëpunimin më të ngushtë me SHBA-të në fushën e sigurisë. Ky është qëndrimi i qeverisë shqiptare.
Folët për 2013 dhe 2021 bashkëpunimi me LSI-në, por, praktikisht, kur do t'i thërrisni aleatët për të formuar qeverinë ere, pasi Presidenti Topi ka dekretuar edhe datën e mbledhjes së parlamentit, datën 7 shtator?
Shumë shpejt unë do të jem para jush, për t'ju informuar hollësisht për koalicionin. Negociatat fillojnë me LSI-në dhe vazhdojnë me aleatët e mi, me të cilët unë kam hyrë në fushatë zgjedhore dhe me të cilët do të kem negociata të sinqerta, të hapura, i vendosur për të ndarë me ta profesionalisht pushtetin.
Kur do ta mbajë PD-ja kuvendin e saj për të zgjedhur strukturat drejtuese, pasi strukturat vendore u zgjodhën para zgjedhjeve?
Partia Demokratike është parti qeverisë dhe nuk mund t'i vendosë problemet e brendshme të saj, para problemeve madhore të vendit dhe të kombit, siç është qeveria. Pasi të finalizojë tërësisht problemin e vendosjes së qeverisjes në të gjitha nivelet të koalicionit, sigurisht ajo do të merret me zgjedhjet e saj, siç e ka parashikuar statuti.
Lidhur me çështjen shqiptare, mund të na e sqaroni edhe njëherë idenë tuaj për bashkimin kombëtar, pasi është një ide që po qarkullon jo vetëm mes shqiptarëve, por edhe në analizat e shtypit botëror.
Problemi i bashkimit të shqiptarëve, mbi bazën e idealit të tyre europian, duhet të kuptohet që është një fat i madh që ideali kombëtar shqiptar përputhet tërësisht dhe është i njëjtë me idealin europian të kombit shqiptar. Ky është një proces i pandalshëm, një proces, me të cilin shqiptarët do të tejkalojnë pasojat tmerrësisht të dhimbshme të njërës prej padrejtësive të mëdha që Evropa ka njohur në tërë historinë e vet, copëtimin e kombit shqiptar. Këtu nuk mund të ketë as edhe një ekuivok. Do të bëj çdo përpjekje me qeverinë e Kosovës, por, për hir të së vërtetës, edhe me qeverinë e Maqedonisë që të vendosim sa më shpejt ato standarde që gëzohen në hapësirën e BE-së, në mënyrë që shqiptarët të ndihen një dhe vetëm një. E kam theksuar dhe e theksoj, kjo nuk ka të bëjë me sovranitetin. Sikundër të harrojë ndonjëri se mund të mendohet për dy apo tre kombe shqiptare. Ka një dhe vetëm një komb shqiptar. Ata që udhëhiqen nga fobia ndaj shqiptarëve, duhet të lirohen. Nuk ka komb më paqësor dhe më të përkushtuar ndaj paqes dhe stabilitetit, sesa kombi shqiptar. Mund të më thoni a ka gjë më të shëmtuar, sesa radhët e njerëzve në rajon. Unë mund ta kuptoj radhët me Greqinë, sepse Greqia është një vend që bën pjesë në Shengen dhe e ka të imponuar. Greqia është një vend mik, por gjithashtu një vend që është i detyruar të respektojë standardet e BE-së. Por ç'kemi ne, vendet e tjera, me njëri-tjetrin që stisim radhë me kilometra të tëra, për të munduar dhe stërmunduar qytetarët tanë. Ndaj unë do të përpiqem në këto standarde. Nuk bëhet fjalë këtu për të cenuar stabilitetin. Dy gjëra kanë qenë nga më kryesoret të qëndrimit tim. E para, kam kundërshtuar të gjitha platformat e ndarjes. Ky nuk është interesi kombëtar i shqiptarëve, prandaj i kam kundërshtuar. Nëse do të ishte, nuk i kundërshtoja, sepse ai është interesi që udhëheq çdo politikan. Së dyti, kam mbështetur dhe mbështes fuqimisht pavarësinë e Kosovës si arritjen më të madhe historike kombëtare. Nga njëra anë, shqiptarët të ndjehen mirë. Ky është absolutisht një qëllim madhor i pandryshueshëm dhe i mbështetur, kam bindjen më të madhe, nga të gjithë miqtë e shqiptarëve. Në qoftë se ka mendje të sëmura që imagjinojnë dy dhe tre kombe shqiptare, kjo pastaj është një don kishotizëm jashtë kohërave, jashtë hapësirave demokratike të Evropës dhe perëndimit. Ka një komb shqiptar.
Mendoni se duhet të ishte Topi ai që duhet t'u ngarkonte juve për t'ju mandatuar krijimin e koalicionit të ri ?
Kushtetuta thotë se është partia e parë që garanton shumicën ajo që propozon kryeministrin dhe po për shkak të Kushtetutës, ky propozim do të bëhet në prag të mbledhjes së parlamentit, sepse Kushtetuta duhet të përcaktojë afatin 10 ditor si detyrim për kryeministrin e ri, për të paraqitur programin në parlament. Pra, do të ketë një bashkërendim midis kryeministrit të ri dhe parlamentit për të gjithë skedulën, në përputhje edhe me agjendën e parlamentit. Ndaj dhe propozimi për kryeministër do të bëhet në prag të mbledhjes së parlamentit, pasi të konturohet publikisht koalicioni qeverisës i katër viteve që vijnë.
Si e komentoni heshtjen e z. Topi lidhur me procesin zgjedhor, i cili ka më shumë se një muaj që ka përfunduar?
Zgjedhjet nuk kanë qenë për presidentin, kanë qenë për parlamentin dhe kryeministrin. Presidenti nuk është prononcuar dhe për këtë nuk mund të bëj ndonjë koment ose hamendje të veçantë.
Meqenëse kanë mbetur vetëm 7 ditë besoj se ju duhet të keni një ide se do të ndryshoni përbërjen e ministrive aktuale apo jo dhe sa për qind do tu lini aleatëve, kryesisht LSI-së?
Kryeministri: Lidhur me koalicionin, për sa i përket numrit të ministrive nuk do të ndryshojë. Nuk kam arsye të cilat rrjedhin nga qeverisja për ta ndryshuar atë. Nuk e konsideroj oportune që për shkak të koalicionit dhe koalicioneve unë të ndryshoj modelin e këtij Këshilli Ministrash si përbërje kabinetesh. Ministritë do të jenë po këto. Sa për ministrat, as unë që po flas këtu para jush, nuk i di. Di që mbledhjen e fundit me këtë qeveri do ta zhvilloj pasnesër dhe pastaj do të mblidhet kabineti i ri.
A do të konturohet koalicioni përpara datës 7 shtator, pra përpara se ju të shkoni në parlament?
Sigurisht që po, sepse duhet të propozohet kryeministri. Emërohet kryeministri dhe pastaj kryeministri propozon ministrat dhe qeveria brenda 10 ditëve nga data e dekretimit të kryeministrit duhet të miratohet në parlament. Ka një ngushticë kohore, e cila imponon që para datës 7 shtator, të bëhen të ditur emrat e 14 ministrave, zëvendëskryeministrit dhe kryeministrit që dihet. Pasnesër data është 2 shtator. Pasnesër janë njoftuar negociatat me LSI-në. Unë nesër do të jem në Poloni ku do të marr pjesë në një takim që zhvillohet në kujtim të fillimit të luftës së dytë botërore, të sulmit mbi Poloninë, por kthehem brenda ditës, ose të nesërmen në mëngjes, kështu që do të jem disponibël për ju.
Brenda partisë çame, PDI më konkretisht, ka patur një përplasje mes kryetarit Muhedini dhe deputetit të vetëm të kësaj partie Dashamir Tahiri. Konkretisht ju do të ni me kryetarin e kësaj partie apo me deputetin, në se ata nuk arrinë të bien dakord me njëri tjetrin?
Unë nuk ndërhyj në asnjë problem të asnjë partie politike. Të jeni të sigurtë për këtë. Është një parim i hekurt i imi. Unë nuk ndërhyj. Jam jashtë çdo lloj ndërhyrje të cilësdo force politike. Jam shumë neutral. Nuk ndërhyj në çështje të brendshme të forcave politike. Është në detyrimin e tyre ti zgjidhin vetë problemet dhe jo me ndërhyrjen time. Nuk i bëhem krah njeriu në asnjë lloj rrethane, sepse kjo është kultura ime politike.
Në rast se Partia Socialiste do të bojkotojë parlamentin dhe do të keni krizë numrash për të miratuar ligje të ndryshme, si do të mund ta rregulloni këtë numër deputetësh?
Ne miratohemi në parlament si koalicion me 74 deputetë. Kjo shumicë është e mjaftueshme për mua që të përgatis fitoren e 2013-s. Kam bindjen se reformat për procesin e integrimit janë interesi më i mirë i opozitës dhe pozitës. Në këtë kontekst mbetemi gjithnjë të hapur për bashkëpunimin me opozitën sikundër respektojmë plotësisht çdo vendim që Rama do të marrë, qoftë edhe ato që merr në interesin më të ngushtë personal.
FUND