Tiranë, 1 Shtator NOA - Kompania e telefonisë celulare, Eagle Mobile ka reaguar pasditen e sotme, lidhur me përfshirjen e emrit të kësaj kompanie të një listë të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve si kompani me humbje gjatë 3 viteve të fundit, në situatë falimentimi.
Duke patur parasysh rëndësinë e saj në treg, pritshmërinë e qindra mijëra abonentëve dhe duke dashur të sqarojë opinionin publik dhe autoritetet shtetërore, Eagle Mobile thotë se kjo kompani nuk i përket në asnjë mënyrë kësaj kategorie dhe se përfshirja në këtë listë është e gabuar.
Kurse sqaron: "Çalik Holding e ka blerë Albtelecom më dt 16.06.2007, kontrata e cila u ratifikua me ligjin nr. 9785 të datës 19.7.2007 (me emër: Për ratifikimin e kontratës për blerjen e aksioneve të shoqërisë anonime "Albtelecom"). Eagle Mobile nuk kishte aktivitetet tregtar megjithëse ishte themeluar që më dt. 24 Tetor 2003 si një kompani shtetërore. Për këtë arsye në ligjin e privatizimit shteti ka garantuar se nuk do të ndërhyjë për prishjen apo çregjistrimin e shoqërisë duke i dhënë asaj kohën e nevojshme të fillimit të aktivitetit, ashtu siç u është dhënë kohë edhe kompanive të tjera".
Kompania kujton faktin se shteti shqiptar zotëron rreth 16 % të aksioneve të kapitalit të Albtelecom dhe është indirekt aksioner i Eagle Mobile.
Më tej Eagle sqaron se ka vetëm 18 muaj në treg (e jo 3 vjet) dhe është një kompani në fazë investimi. Ajo hyri në treg më 12 Mars 2008, që është edhe data e nisjes së aktivitetit tregtar.
"Aktualisht më shumë se 50 milionë euro janë investuar në infrastrukturën e kësaj kompanie anekënd vendit dhe investimi do të vazhdojë dhe kjo shifër do të rritet", - vë në dukje kompania e cila shënon sot 530 mijë abonentë në shkallë republike.
Aktualisht mëse 260 punonjës direktë punojnë pranë shoqërisë ndërsa më se 150 të tjerë punojnë për nën-kontraktorët. Ndërkohë Eagle Mobile ka çelur 48 dyqane në rang vendi dhe dhjetëra pika të tjera shitjeje.
Kompania thotë ka mbuluar tashmë 90,7 % të territorit dhe 97 % të popullsisë së republikës, gjë e arritur në një kohë rekord.
Kurse evidenton se plani i investimit të kompanisë është i monitoruar nga qeveria shqiptare në përputhje me planin e biznesit të kontratës së shitjes së aksioneve.
Nga ana tjetër, Eagle Mobile thekson se ka ndikuar drejtpërdrejtë në uljen e çmimeve të telefonisë celulare, thirrjeve zanore, SMS dhe internetit gjë e konfirmuar së fundi edhe nga raporti i AKEP.
Kompania po ashtu, kujton se ka sjellë teknologjinë më të fundit në fushën e telefonisë celulare. "Në një kohë rekord u mbulua territori i vendit me sinjal. Eagle solli teknologjinë EDGE, me e shpejta dhe aktualisht e përdorura në perëndim. Eagle është gati për teknologjinë më të përparuar 3G (Gjenerata e tretë)", - thuhet në deklaratën e posaçme të zyrës së shtypit të kompanisë.
Ajo vijon me faktin tjetër, se dhjetëra shërbime të reja kanë ardhur me Eagle Mobile në Shqipëri e mund të gjenden në çdo dyqan të kompanisë, duke i mëshuar faktit se "solli konkurrencën në fushën e telefonisë celulare".
Në këtë pikë, kompania evidenton se nuk ka asnjë detyrim të papaguar ndaj autoriteteve shtetërore dhe ka shlyer të gjitha detyrimet ndaj autoriteteve tatimore.
Si dhe siguron se është në gjendje të plotë paguese, duke paralajmëruar se do të vazhdojë të investojë. "Arsyeja pse nuk ka ende fitim, është se në vitet e para të operimit të një kompanie të gjitha burimet fokusohen te investimet dhe rritja", - sqaron Eagle Mobile, e cila duke u konsideruar si kompania më rinore e telefonisë celulare, vlerësohet se është një histori suksesi në tregun shqiptar, evidentim që u bë edhe nga kryeministri Sali Berisha, në ceremoninë e 1 vjetorit të kompanisë më 12 Mars të vitit në vazhdim.
/e.l/n.e/NOA/