Shkup, 1 shtator, NOA - Zv/kryeministri i qeverisë aktuale serbe, Bozhidar Gjeliç është lidhja kryesore serbe në Maqedoni, falë njohjes së ngushtë me kryeministrin aktual Nikolla Gruevski.
Kjo ka të bëjë me faktin se lidhja e tyre është shumë e afërt, duke marrë parasysh faktin se kryeministri aktual Nikolla Gruevski ka qenë një nga këshilltarët kryesor të Gjeliçit, i cili nga viti 2001 e deri në vitin 2004 ka qenë ministër i Financave.
Gruevski kishte shfrytëzuar njohjen me Gjeliçin derisa ishte ministër i financave dhe më pas ai nga fundi i vitit 2002 inkuadrohet si këshilltar për reforma në financat publike, përmirësimin e sistemit të pagesave dhe jo-pagesave.
Burime qeveritare për "24 orë" kanë theksuar se vazhdojnë kontaktet e mëtejme midis Gjeliçit dhe Gruevskit, për shkak se ato ekzistojnë edhe jashtë linjave institucionale. "Pikërisht kjo lidhje edhe po mban peng Kosovën, për shkak se ata tashmë janë dy miq të ngushtë dhe që shpeshherë dëgjohen mes tyre", ka theksuar një burim qeveritar për gazetën "24 orë". Vizita e fundit e Gruevskit në Beograd në agjendë kishte pasur edhe takimin me zëvendëskryeministrin serb, Bozhidar Gjeliç, mirëpo siç dihet kjo vizitë ishte zhvilluar pa shumë detaje për mediat.
NOA-INA