Tiranë, 1 shtator, NOA - Qeveria gjermane do të ndihmojë palën shqiptare për sigurimin e vaksinave të gripit pandemik, i cili tashmë ka prekur tërë globin.
Një fakt i tillë parashikohet në marrëveshjen dy palëshe që është nënshkruar mes
ministres së Shëndetësisë, Anila Godo dhe sekretares Parlamentare të Shtetit në ministrinë Gjermane të Shëndetësisë, Marion Caspers-Merk.
Merk aktualisht është duke zhvilluar një vizitë zyrtare në vendin tonë në datat 1-3 shtator dhe gjatë takimit të sotëm me ministren Godo i ka shprehur asaj dëshirën e tyre të përbashkët për intensifikimin e kontakteve bilaterale dhe gatishmërinë e tyre për të nxitur bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë.
Konkretisht, bëhet fjalë për fushat e kujdesit shëndetësor si ai i menaxhimit të spitaleve, trajnimi i personelit shëndetësor, sektori farmaceutik, programet e partneritetit të spitaleve etj.
Gjithashtu, janë parashikuar masat e bashkëpunimit në shkëmbimin e specialistëve dhe ligjëruesve, ndarjen e informacionit shëndetësor, veçanërisht në pajisje moderne mjekësore dhe zhvillimi i teknologjisë në fushën e shëndetësisë, ndarjen e përvojave me modele të organizimit të sektorit të shëndetit publik, zbatimin e përbashkët të projekteve të cilat trajtojnë çështjet me interes të përbashkët etj.
Një vëmendje e veçantë do t'i kushtohet dialogjeve strategjike mes palëve në iniciativën e përbashkët në kuadrin e politikave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Ndërkaq, marrëveshja në fjalë parashikon edhe mbështetjen në bashkëpunimin ndërmjet institucioneve gjermane dhe shqiptare, veçanërisht në lidhje me universitetet, qendrat nacionale mjekësore, spitaleve dhe institucioneve të tjera shëndetësore, në mënyrë që të arrihet intensifikimi i bashkëpunimit në prioritetet e përmendura më lart.
n.e/NOA