English

Policia, marrëveshje bashkëpunimi me Agjencionin e Kosovës për Inteligjencë

Prishtinë, 2 Shtator NOA - Policia e Kosovës dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi, informon korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA.

Marrëveshja synon ofrimin e ndihmës dhe përkrahjes ndaj Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë nga Policia e Kosovës në ngritjen e kapaciteteve të saja njerëzore, njofton Drejtoria e Përgjithshme e Policisë.

Ajo u nënshkrua nga Drejtori i përgjithshëm i Policisë, z. Sheremet Ahmeti dhe drejtori i AKI-së, z. Bashkim Smakaj.

Ky bashkëpunim konsiston në transferimin e përkohshëm të Zyrtarëve të Policisë së Kosovës në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë me qëllim të ndihmës këtij Agjencioni në ngritjen e kapaciteteve të saja njerëzore.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë, z. Sheremet Ahmeti theksoi se Policia e Kosovës do të mbështesë Agjencinë Kosovare të Inteligjencës në të gjitha fushat edhe në fushën e shkëmbimit të kuadrove për të mbështetur dhe përkrahur AKI-në.

"Po ashtu edhe në shkëmbimin e informative, gjithashtu AKI-ja do të ketë mundësinë e qasjes edhe në bazën e të dhënave të Policisë së Kosovës", - tha Ahmeti.

Në vazhdim të fjalës së tij, z. Sheremet Ahmeti tha: "Pa dyshim që këto janë vetëm disa nga ndihmesat që Policia e Kosovës jep në ndërtimin e AKI-së, por edhe ndihmesa e AKI-së në të ardhmen për PK-në do të jetë e pazëvendësueshme".

"Jemi agjencione simotra dhe si të tilla jemi në mision të përbashkët, ne si Polici e Kosovës nuk do të kursejmë asgjë në ndihmë të AKI-së. Është një nënshkrim domethënës i pari i bërë në mes të këtyre dy agjencioneve", - theksoi ndër të tjera, Drejtori i përgjithshëm i Policisë, z. Ahmeti.

Ndërsa Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, z. Bashkim Smakaj duke falënderuar për bashkëpunim stafin e lartë të Policisë e cilësoi si proces të rëndësishëm nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje.

"Kjo marrëveshje është një hap shumë i rëndësishëm në ndërtimin e mëtutjeshëm të AKI-së dhe po ashtu është kërkesë ligjore. Ne, sapo e formalizuam një bashkëpunim të frytshëm me Policinë, është marrëveshja e parë që nënshkruhet nga AKI-ja me ndonjë institucioni tjetër", - vuri në dukje Smakaj.

Policia e Kosovës, - vijoi ai, - do të jetë institucioni që do të bashkëpunojmë shumë ngushtë dhe përafërt gjatë aktiviteteve tona.

a.b/e.l/NOA

KOMENTE