Tiranë, 1 shtator NOA - Është prezantuar Projekti i Bankës Botërore për Masterplanin e qyteteve të Beratit, Gjirokastrës, Korçës dhe Lushnjes.
Në këtë prezantim mori pjesë Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, kryetarët e bashkive të katër qyteteve si dhe Eyal Achbel përfaqësuesi i firmës fituese "Mermanet".
Pas procesit të përzgjedhjes së shoqërive sipas procedurave të Bankës Botërore është bërë e mundur lidhje e kontratës më datë 30 korrik të këtij viti me firmën Izraelite "Marmanet &Leman Architects për Paketën e dytë.
Kontrata ka një afat një vjeçar dhe një vlerë rreth 1 milion Euro.
"Lidhja e kontratës për paketën e dytë për bërjen e Planeve Urbanistike të katër qyteteve të rëndësishme të vendit, Lushnjes, Beratit, Korçës dhe Gjirokastrës i jep një tjetër përmase projektit që në kemi në zhvillim prej kohesh dhe i bashkëngjitet qyteteve që janë përfshirë në paketën e parë, përkatësisht Shkodrës, Durrësit, Vlorës dhe Kamzës duke i dhënë paketës formën e duhur që përfshin të gjithë qytetet e mëdha të vendit" deklaroi gjatë fjalës së tij, ministri i Transporteve Sokol Olldashi.
"Një tjetër element i rëndësishëm i këtij projekti është fakti që përveç hartimit të planit parashikohet edhe trajnim i stafeve bashkiake, në mënyrë që të kryejnë përditësimin e këtyre planeve për periudhën që do të jenë në fuqi.
Një instrument që do t'i duhet njësive të qeverisjes vendore për të pasur një arzhonim të të gjitha të dhënave që kanë të bëjnë me zhvillimin e qyteteve të tyre" shtoi më tej Olldashi i cili i falënderoi kryetarët e bashkive për kontributin që kanë dhënë për përgatitjen e kësaj pakete si dhe firmën fituese të kësaj kontrate.
k.k/NOA