English

Thaçi i Maqedonisë takon Haradinajn. Kërkojnë zgjidhje të problematikave

Tetovë, 1 shtator, NOA - Zhvillimet e fundit në Kosovë dhe Maqedoni, duke synuar rrugën e integrimeve euroatlantike, kanë qenë në qendër të takimit që lideri i PDSH, Menduh Thaçi zhvilloi në Tetovë me ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Bëhet e ditur ndërkaq se dy personalitetet kanë folur edhe rreth mosvendosjes së marrëdhënieve midis Shkupit dhe Prishtinës, si edhe nevojën e angazhimit të Tiranës zyrtare dhe Kosovës rreth zgjidhjes së problemeve të shqiptarëve në Maqedoni.

Nga ana e tij, lideri i PDSH-së, tha se qeveria e Maqedonisë po zhvillon një politikë të gabuar dhe idioteske në raport me Kosovën dhe se kjo politik vazhdimisht shkakton armiqësi edhe me gjithë fqinjët e vendit.

Kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi tha subjekti që drejton ai dhe AAK kanë orientime të njëjta dhe përkrahin procesin e integrimit të rajonit në strukturat e Aleancës së NATO-s dhe BE-së.

"Është kënaqësi e jashtëzakonshme për PDSH-në, por edhe për shqiptarët në Maqedoni dhe në përgjithësi për këtë vend, prezenca e z. Haradinaj", tha lideri i PDSH.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj e ka quajtur takimin me liderin e opozitës shqiptare në Maqedoni një moment të mirë pune, duke thënë se ka qenë një nder të takohet me partnerin e tij, kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçin.

"PDSH në Maqedoni është një protagonist i hershëm , serioz dhe i vazhdueshëm për tema që lidhen me pozitën e shqiptarëve në Maqedoni dhe me punët që ndodhin në këtë vend. Ne si partnerë që jemi shkëmbyem pikëpamjet në këtë drejtim dhe natyrshëm që e bazojmë punën në faktorët dhe aktorët e këtushëm politik.", tha Haradinaj.

Ai tha se pret që shqiptarët por edhe vendet tona të ecin drejt integrimeve euro-atlantike dhe kësisoj edhe definitivisht jeta jonë dhe zhvillimet tona dukshëm do të jenë më të mira se sa i kemi në këtë kohë" u shpreh Haradinaj .

Lidhur me idenë që Tirana zyrtare të vendosë veto për Maqedoninë nëse nuk plotësohen të drejtat e shqiptarëve, Haradinaj tha se për këtë çështje duhet të hapet debat.

"Haradinaj deklaroi se kjo është një temë që ka nevojë për një debat .Është në interes të të gjitha vendeve në rajon që të koordinohen ndërsjellë dhe të vijnë në shprehje pozitivisht ato që të avancohet edhe pozita e shqiptarëve, por njëkohësisht edhe për temat e integrimeve . Sikurse dihet integrimi është anëtarësimi në NATO, një proces që kërkon edhe një përkrahje të fqinjëve dhe gjithë aktorëve të tjerë" u shpreh Haradinaj.

NOA-INA

KOMENTE