Prishtinë, 1 shtator, NOA - Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka komentuar sot në publik raportin që përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Prishtinë, Pieter Feith, pritet të paraqesë nesër para Parlamentit Evropian.
"Natyrisht se z.Feith ka përgjegjësinë e tij për të prezantuar opinionet mbi zhvillimet në Kosovë. Bashkëpunimi i qeverisë së Kosovës me ICO-në, EULEX-in, të cilat kanë qenë të ftuar dhe të mirëpritura në Kosovë, është bashkëpunim i nivelit institucional në shërbim të qytetarëve të Kosovës, duke respektuar këshillat dhe rekomandimet. Por duke ruajtur gjithmonë autoritetin vendimmarrës të institucioneve legjitime të Republikës së Kosovës", ka theksuar kryeministri Thaçi lidhur me një fakt të tillë.
Ai ka thënë më pas se bashkëpunimi me institucionet ndërkombëtare është bashkëpunim institucional në shërbim të qytetarëve të Kosovës.
Por ai ka theksuar se gjithmonë respektohen rekomandimet dhe këshillat e këtyre institucioneve ndërkombëtare, por duke ruajtur gjithmonë autoritetin vendimmarrës të institucioneve të Kosovës.
Bëhet e ditur se përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, Peter Feith do të raportojë ditën e nesërme para Komitetit të Jashtëm të Parlamentit Evropian për gjendjen aktuale në Kosovë.
Çështja kryesore e raportimit të Feith, bëhet e ditur paraprakisht se do të jetë ajo e
Vënies në dijeni të ligjvënësve evropianë mbi refuzimin kategorik që Prishtina i ka bërë nënshkrimit të mundshëm të një protokolli bashkëpunimi ndërmjet EULEX dhe Serbisë.
Kjo marrëveshje është cilësuar si e domosdoshme për Serbinë, para se ajo të hyjë në zonën e bardhë të Shengenit.
Nga ana e tyre, autoritetet serbe e vlerësojnë këtë marrëveshje si të domosdoshme, ndërsa ato kosovare si të pavend.
Ndërsa lidhur me marrdhëniet mes tij dhe kryeministrit Berisha, Thaçi ka pohuar se "vlerat kombëtare të cilat i kemi janë vlera unifikuese, janë vlera që duhet t'i avancojmë dhe së bashku me Berishën dhe të tjerët që kjo të ndodhë".
"Por para se gjithash edhe kryeministri i Kosovës edhe kryeministri i Shqipërisë janë të fokusuar për integrimin e Kosovës edhe në NATO edhe në Bashkim Evropian edhe të Shqipërisë, por edhe të Kosovës, por edhe për paqen dhe stabilitetin, bashkëpunimin dhe të perspektivës evropiane të rajonit", ka thënë më pas ai.
n.e/NOA