Gjirokastër, 2 shtator, NOA - Forcat e policisë së Gjirokastrës kanë arrestuar në flagrancë 30-vjeçarin Patriot Mema, lindur dhe banues në Skrapar.
Sipas të dhënave policore për agjencinë e Lajmeve NOA, arrestimi i tij në flagrancë është bërë për arsye se në afërsi të fshatit Zhepë në Përmet, ky person është kapur duke shoqëruar 3 persona nga rrethe të ndryshme të vendit të cilët i kishte rekrutuar vetë dhe do t'i ndihmonte të kalonin kufirin jeshil për në shtetin grek në mënyrë të paligjshme kundrejt fitimit 400 Euro për person, gjithsej 1200 euro.
Kapja e këtij personi u bë e mundur mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative dhe materialet i kaluan prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme, për veprën penale të "Dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit me qëllim fitimi', vepër kjo e parashikuar nga neni 298/2 i Kodit Penal.
n.e/NOA