Tiranë, 2 shtator, NOA Update - Gjatë mbledhjes së fundit të qeverisë, kryeministri Berisha, përveç analizimit të reformave në vitet 2005-2009, përfitoi nga rasti edhe të përshëndesë ministrat për punën e secilit, megjithëse në konfidencë u ka thënë se nuk do të jetë bashkë me të gjithë ata në qeverisjen e ardhshme.
"Me keqardhje ju them se nuk do jeni më në këtë sallë dhe nuk do jemi më bashkë, por kjo nuk do të thotë se nuk keni punuar mirë. Paraqes mirënjohje për punën e kryer deri tani prej secilit nga ju", mësohet t'u ketë thënë kryeministri anëtarëve të kabinetit.
Detaji bëhet i ditur për agjencinë e Lajmeve NOA nga burime brenda mbledhjes së qeverisë , të cilat sqarojnë ndër të tjera se gjithsesi, Berisha i ka marrë me të mirë ministrat e tij duke u thënë se ndarja me ta do të vijë për shkak të kushteve që caktojnë koalicionet politike, të cilat gjithesi i ka vlerësuar në të mirë të zhvillimeve politike të vendit e duket se për këtë gjë, ka kërkuar mirëkuptim nga ana e ministrave.
E duke folur më pas për qeverinë e re në koalicion me LSI, ai tha se "ende nuk kemi vendosur për kabinetin e ri të qeverisë".
Ndërkaq, në orën 16.00 të ditës së sotme, është parashikuar që të kryhet edhe takimi zyrtar mes kryeministrit Berisha dhe kreut të LSI, Meta, në të cilin do të konkludohen publikisht rezultatet e negociatave të tyre të përbashkëta për qeverisjen e re të vendit.
n.e/NOA