English

KE, Oli Ren: Zgjedhjet në Shqipëri më të mirat, gati plani për heqjen e vizave

Bruksel, 2 Shtator NOA - Komisioneri për Zgjerimin i Komisionit Evropian, Oli Ren (Olli Rehn), deklaroi sot se zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri ishin më të mirat e zhvilluara ndonjëherë në këto 20 vitet e fundit dhe menjëherë më pas theksoi se pati gjithsesi disa probleme.

Deklarata e Ren, u bë në fjalën e mbajtur përpara drejtuesve të komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian.

Zgjedhjet

"Zgjedhjet e fundit të mbajtura në Shqipëri, ishin më të mira se ato të të zhvilluara gjatë viteve të mëparshme. Megjithatë, kishte akoma mungesa", - tha Ren.

Ai shtoi se "ne po presim nga OSBE/ODHIR të japin vlerësimin final në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve".

Z.Ren ka folur dhe për aplikimin e Shqipërisë si vend kandidat për anëtar i Bashkimit Evropian:

"Le të shohim se çfarë do të ndodhë. Komisioni është gati të përgatisë konsideratën e tij zyrtare lidhur me aplikimin për statusin e vendit kandidat, sapo Këshilli t'ia kërkojë këtë. Ndërkaq Shqipëria po vazhdon implementimin e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim".

Vizat

Komisioneri për Zgjerimin i Komisionit Evropian, Oli Ren ka folur edhe për heqjen e barrierës së vizave për lëvizjen e lirë të shqiptarëve por edhe të Bosnjës, kur tha se në mesin e vitit 2010 ky proces pritet të marrë udhë.

"Ne kemi si qëllim, që Shqipëria dhe Bosnja të ndjekin rrugën e fqinjëve të tyre sa i përket liberalizimit të vizave. Nëse ata vazhdojnë reformat dhe plotësojnë kushtet, Komisioni Evropian mund të bëjë një propozim në mes të 2010-ës dhe kjo do të ndikojë shumë pozitivisht në jetën e banorëve të këtyre vendeve", - deklaroi z.Ren

Në këtë kuadër, ai paralajmëroi se "shpejtësia e Shqipërisë dhe Bosnjës në rrugën e liberalizimit të vizave është në duart e qeverive dhe liderëve të këtyre vendeve".

Në përfundim të argumentit, z.Ren tha se "në momentin që propozimi ynë do të hyjë në fuqi, të gjithë shtetasit e Shqipërisë dhe Bosnjës, do të mund të hyjnë në vendet e zonës Shengen duke paraqitur vetëm pasaportat e reja që sigurisht duhet të jenë biometrike.

/e.n/e.l/NOA/

Â

KOMENTE