English

Nisin procedurat për autostradën Morinë-Merdare, sërish shfaqet Bechtel & Enka"

Prishtinë, 2 Shtator NOA/RFE - Deri më 25 shtator të këtij viti, Kosova përfundimisht do të hapë ofertën për fillimin e ekzekutimit të punimeve të autostradës Morinë-Merdare.

Kjo u bë e ditur pas takimit të Komitetit Ndërministror për ndërtimin e autostradës, ku po ashtu u konfirmua se ndërtimi i autostradës do të bëhet me partneritet publiko-privat përmes kredisë.

Komiteti Ndërministror ka publikuar listën e kompanive konkurrente për ndërtimin e autostradës Morinë-Merdare.

Kompanitë e përzgjedhura janë: kompania "Alpine" nga Austria, kompania amerikano-turke "Bechtel & Enka", "Makyol" nga Turqia, "Pizzaroti" nga Italia, "Porr" nga Austria, "Strabag" po ashtu nga Austria dhe "Terna" nga Greqia. Ministri i Transportit dhe Post-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, thotë se pas përzgjedhjes së këtyre kompanive, punët për fillimin e autostradës janë në përfundim e sipër. "Ëndrra për realizimin e projektit madhor për Kosovën, autostrada Prishtinë-Vërmicë, ka filluar konkretisht në drejtim të fillimit të punimeve të këtij projekti madhor, me interesa të shumëfishta ekonomike, kulturore, komunikuese, me interesa të hapjes së korridoreve". "Përfundimisht, ky projekt Kosovës do t'i japë kuptimin më të mirë të fjalës, që të jetë një urë lidhëse mes Ballkanit perëndimor, Evropës. Kosova, në pozitën e saj gjeografike, do ta marrë peshën dhe rëndësinë e saj ashtu siç i takon dhe do të dalë nga izolimi", thotë Limaj. Për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Vërmicë, e cila do t'i mundësojë Kosovës lidhje me autostradën Morinë-Durrës, ministri Limaj pohon se është miratuar rekomandimi që të hyhet në partneritet publiko-privat përmes kredisë. "Ky do të jetë konstrukti, ideja e financimit të autostradës Prishtinë- Vërmicë, që nënkupton se shteti i Kosovës do të futet në një pjesë të të hollave, por pjesa dërrmuese do të jetë përmes kredive, e si do të jenë kreditë, kjo do të jetë pjesë e konstruktit financiar, që do të vazhdojmë të hulumtojmë dhe të realizojmë", thotë Limaj. Edhe shefi i Bankës Botërore në Prishtinë, Ranxhit Najak, mbështet opsionin për partneritet publiko-privat, duke theksuar se ai nuk do të ndikojë në buxhetin e Kosovës. "Anëtarësimi i Kosovës në Bankën Botërore mundëson qasje në shumë mekanizma, qofshin ato grante, hua, apo këshilla teknike. Ne po ashtu po shikojmë mundësinë e investimeve jo vetëm në një sektor apo tjetër, por të atyre që kanë përparësinë e qeverisë". "Në fakt, javën e kaluar, ne patëm një ekip, i cili do të vlerësojë se cili është sektori më i nevojshëm. Ju duhet ta dini që ne gjithmonë punojmë në partneritet me donatorë të tjerë dhe kështu do të jemi edhe me anëtarët më të rinj të Bankës Botërore", shprehet Najak. Seleksionimin e kompanive konkurrente për ndërtimin e autostradës e ka bërë kompania konsultuese "Eversheds" nga Anglia. Përfaqësuesi i firmës konsultuese për ndërtimin e autostradës, Erion Berisha, thotë se kanë bërë disa hulumtime paraprake si dhe shqyrtimin e kostos, por që ende nuk e dinë se sa mund të kushtojë i gjithë projekti. Megjithatë, ai tregon disa nga rekomandimet që ia kanë dhënë Qeverisë së Kosovës. "Ne rekomandojmë që rruga pas ndërtimit të jetë me pagesë, pasi që është një standard ndërkombëtar dhe përdoruesit marrin një shërbim që duhet ta paguajnë. Kjo do të ulë barrën fiskale të Qeverisë kosovare për kredinë që do të marrë për ndërtimin e rrugës dhe për mirëmbajtjen që do të jetë gjatë kohës së operimit të rrugës". "Po ashtu, ne jemi të bindur se projekti do të jetë shumë domethënës për të ardhmen e Kosovës dhe të rajonit", thotë Berisha. Ndërtimi i kësaj autostrade, sipas autoriteteve kosovare, do të sjellë përfitime ekonomike, përfshirë këtu edhe punësimin, bartjen e mallrave, turizmin etj. Autostrada Merdare-Prishtinë-Morinë ka një gjatësi prej 117 kilometrash dhe është një komponent kyç i rrjetit ballkanik të transportit, që lidh Evropën juglindore me bregdetin e Shqipërisë.

KOMENTE