English

Presidenti Topi, shkarkon dy prokurorë dhe tre zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes

Tiranë, 2 shtator NOA - Presidenti Bamir Topi, ka firmosur sot shkarkimet nga detyra të dy prokurorëve dhe tre zyrtarëve të lartë në Ministrinë e Mbrojtjes, ndërsa ka dekretuar dhe tre emërime në po këtë ministri.

Kështu tetë dekretet e presidentit Topi, kanë hyrë sot në fuqi duke nxjerrë në rrugë disa zyrtarë shtetërorë, dhe emëruar në detyrë tre të tjerë.

Prokuroria e Përgjithshme i kishte propozuar presidentit të vendit Bamir Topi, shkarkimin nga detyra të Tom Deda, me detyrë prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, gjë e cila është dekretuar sot prej kreut të shtetit.

Të njëjtin propozim Prokuroria e Përgjithshme ka dhënë edhe për prokurorin e rrethit gjyqësor Kurbin Bardhyl Shehu, i cili prej ditës së sotme nuk do të jetë në detyrë.

Ndërkohë që shkarkimet që ka firmosur Topi sot kanë vijuar në Ministrinë e Mbrojtjes me propozim të kësaj të fundit.

Kapiten i Rangut I, Kristaq Gërvenji, Komandant i Forcave Detare të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, kundëradmiral Kudret Çela, zëvendëskomandant i Komandës së Forcave të Bashkuara dhe Gjeneral Brigade Vladimir Qirjazi, Komandant i Komandës Mbështetëse janë shkarkuar sot nga detyra me firmën e Topit.

Veç shkarkimeve Ministria e Mbrojtjes i ka propozuar presidentit Topi edhe tre emërime në këtë dikaster.

Kështu Topi nuk ka nguruar të firmosë emërimin Kristaq Gërvenji në detyrën e Zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Ndërsa kundëradmiral Kudret Çela, u emërua sot në detyrën e Komandantit të Forcave Detare, të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Gjithashtu Topi ka dekretuar po sot edhe emërimin Gjeneral Brigade Vladimir Qirjazi, në detyrën e Zëvendëskomandantit të Komandës së Forcave Bashkuara, të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. k.k/NOA

KOMENTE