Tiranë, 2 shtator NOA - Sheiku saudit, Yassin Kadi (Jasin Kadi), i është përgjigjur të gjitha pyetjeve të gjykatës së Krimeve të Rënda mbi pronat që administrohen nga administratori i tij Hamza Abu Rayyan.
Në një dëshmi me 12 faqe në tre gjuhë shqip, arabisht dhe anglisht, Kadi shpjegon për herë të parë mbi udhëtimet e tij në vendin tonë, pronat, terrorizmi dhe pastrimin e parave. Në 25 përgjigjet e tij Kadi shpjegon se për herë të parë ka ardhur në vendin tonë në prill të vitit 2001.
"Në mënyrë absolute nuk ka asnjë bazë të vërtetë çfarëdo qoftë, për asnjë akuza për pastrim parash apo financim të terrorizmit, qoftë kundër meje, qoftë kundër Hamza Abu Rajan. Unë jam viktimë e një padrejtësie flagrante dhe të vazhdueshme dhe u bëj thirrje autoriteteve në Shqipëri që menjëherë të lirojnë pronat e mia dhe ato të kompanive të mia", sqarohet në 12 faqet, ku sheiku përgjigjet mbi procesin që ka nisur në ngarkim të Hamza Abu Rayyan në vendin tonë, për "fshehje të fondeve me qëllim financim të terrorizmit".
Po ashtu Kadi i sqaron se nuk ka një vendim që e shpall atë fajtor për financim të terrorizmit, çka do të thotë se pronat e tij janë konfiskuar gabimisht.
Në fund Kadi shpjegon se administratori i tij, nuk ka kryer pastrim të parave.
/a.k/e.n/NOA/