Nga Ani RuciÂ
Tiranë, 2 Shtator NOA/DW - Në fillim të këtij muaji qeveria e Tiranës nxori një urdhëresë në bazë të së cilës ndalohet muzika e lartë në diskot, që ndodhen pranë qendrave të banuara dhe atyre turistike ku pushuesit janë të moshave të ndryshme.
Ritmet e muzikës elektronike shoqërojnë çdo fundjavë, nga mesnata deri në agimin e ditës tjetër, pushuesit vendas dhe të huaj, në qendrën turistike të Dhërmiut, në bregdetin e Jonit.
Adoleshentëve kjo u pëlqen shumë dhe vijnë enkas në këtë qendër për të kaluar fundjavën dhe dëgjuar DJ më të mirë të Tiranës apo të huaj që vijnë të ftuar nga pronarët e diskotekave.
Gjumë ditën
Pjesa tjetër e pushuesve ndihen të shqetësuar nga një dhunë sistematike akustike. Brikena, ekonomiste financiere në Kosovë ka ardhur për herë të parë në Dhërmi.
"Kam ardhur me shoqet e mia nga Prishtina. Vendi na pëlqen shumë, këtu ka një bukuri të rrallë natyrore. Por është e pamundur të flihet gjatë natës. Për tre net rresht nuk kemi mundur të flemë dhe të pushojmë normalisht. Kemi fjetur gjatë paradites, kur muzika ka pushuar dhe kemi humbur paraditen në plazh.
***
Eranda është studente në Tiranë. Ajo është një nga fanset e muzikës elektronike dhe frekuentuese e rregullt e diskove. Por edhe ajo nuk është në favor të teprimit dhe shqetësimit të pjesës tjetër të pushuesve dhe sidomos të banorëve të fshatit. "Jam e re, më pëlqen muzika, më pëlqen të kërcej në disko. Por, kur teprohet nuk më pëlqen, Kur du atë qetësohem nuk mundem sepse zhurma deri në mëngjes nuk më lë të fle. Nuk është normale që muzika e lartë të vazhdojë deri në pesë të mëngjesit dhe të mos na lerë të flemë".
Zhurma largon klientët
Dritani ka një hotel të vogël, pranë diskos. Ai ankohet se po i dëmtohet biznesi. "Kam patur raste kur klientët më ikin se nuk e durojnë dot pagjumësinë sistematike çdo fundjavë, ka të tjerë që nuk ikin por janë të pakënaqur. Kjo disko nuk më sjell asnjë të mirë, vetëm më dëmton. Ndodh që klientët më ikin para përfundimit të ditëve të prenotuara dhe kjo më prish imazhin."
Në fillim të këtij muaji qeveria e Tiranës nxori një urdhëresë në bazë të së cilës ndalohet muzika e lartë në disko që ndodhen pranë qendrave të banuara dhe atyre turistike ku pushuesit janë të moshave të ndryshme.
Qeveria - me urdhra
Për ekzistencën e kësaj urdhëresë apo ligji ka dijeni edhe Brikena nga Prishtina. "Ndofta duhet bërë një peticion qeverisë apo letër pushtetit lokal të marrë masa që kjo që të ndalojë, sepse ky është një shqetësim i madh", - thitë ajo duke folur me radion Dojçe Vele.
Moszbatimi i kësaj urdhërese ligjore ka sjellë në fillim të kësaj jave edhe viktimën e parë. Pronari i një lokali në bregdetin e Durrësit vrau pronarin e lokalit fqinjë, sepse ky i fundit nuk pranoi të merrte parasysh ankesat e klientëve të fqinjit dhje të ulte volumin e muzikës së lartë.
Shteti duhet të jetë i pranishëm
Dritani, pronari i lokalit në Dhërmi duke komentuar këtë ngjarje të rëndë thotë:Â "Shteti duhet të ndërhyjë dhe të jetë i pranishëm në këto lloj konfliktesh. Që ato të mos zgjidhen në mënyrë individuale dhe ekstreme.. si kjo që t'i marrësh jetën një njeriut sepse nuk merresh vesh që të ulë volumin e muzikës. Ose të zbatojë urdhëresën ligjore për orarin kur muzika e lartë lejohet."
Por edhe pse shteti nuk është i pranishëm për të detyruar zbatimin e ligjit dhe shmangien e konflikteve vrastare që shkakton dhuna akustike, Dritani dhe pronarë të tjerë lokalesh kanë vendosur të mos dorëzohen. "Do të vijojmë përpjekjet që të zbatohet ligji që kufizon orarin kur lejohet muzika të lartë", thotë ai.