English

Qeveria e Re, PD-LSI firmosin bashkëpunimin 4 vjeçar

Tiranë, 2 shtator NOA Lajm dhe foto UPDATE-Kryetari i PD, Berisha dhe kreu i LSI, Ilir Meta firmosën sot pasdite rreth orës 18 në ambientet e kryesisë së Kuvendit, marrëveshjen e bashkëpunimit 4 vjeçar për qeverisjen e re që pritet të udhëheqë vendin pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit.

Berisha deklaroi se pas kësaj marrëveshje në ditët në vijim do të firmoset bashkëpunimi me aleatët e tjerë të koalicionit, madje i është bërë ftesë dhe PBDNJ-së një forcë politike e cila doli nga koalicioni i djathtë para zgjedhjeve të 28 qershorit për t'ju rreshtuar listës së aleatëve të PS.

Në fjalën e tij, kryetari i koalicionit fitues të djathtë theksoi se qeverisja do të ketë për bazë zbatimin e programeve të dy partive kryesore në koalicionin e ri, të PD e LSI.

Berisha u shpreh se koalicioni i ri 4 vjeçar do të mbajë premtimet për reformat e thella që do ta çojnë vendin drejt marrjes së statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian, përfshirë këtu dhe reformën zgjedhore e cila do të ndreqë gabimet që dolën në pah gjatë zgjedhjeve të 28 qershorit.

Berisha garantoi se në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2011 të dyja forcat do të dalin së bashku në garë e do të fitojnë sërish për të firmosur më pas për bashkëpunimin afatgjatë.

Ndërsa ka zbardhur disa pika të negociatave me LSI, duke e quajtur një forcë politike esenciale në qeveri, Berisha tha se në qeverisjen e saj, LSI do të përfaqësohet nga kryetari i saj, Ilir Meta si zv/kryeministër e ministër i Jashtëm, më pas me postin e Ministrit të Shëndetësisë të cilin do e përfaqësojë Petrit Vasili, sekretar i Përgjithshëm i LSI, dhe ministër i Energjetikës, Dritan Prifti. Njëkohësisht kjo forcë do të mbajë dhe postin e nënkryetarit të parlamentit.

Sipas Berishës, LSI do të ketë 20 për qind të përfaqësimit në administratë si dhe përfaqësimin në qeveri me 7 zv/ministra të kabinetit.

"Me zotin Meta kemi rënë dakord se s'do të ketë asnjë ndarje në shërbimin civil për tu konsoliduar më shumë shërbimi ndaj qytetarëve", u shpreh Berisha.

Më pas e mori fjalën kreu i LSI, Ilir Meta.

Sipas Metës në thelb të kësaj marrëveshje do të konkretizohet dhe programi i qeverisë së ardhshme por që do të jetë më e detajuar.

Meta ka shprehur kënaqësinë për mirëkuptimin që ka pasur me Berishën e përfaqësues të tjerë në lidhje me integrimin e sa më shumë personaliteteve të dy forcave politike.

"Jam i kënaqur që shumë nga prioritetet tona përputhen, disa të tjera kanë gjetur një mirëkuptim të plotë, kjo është një marrëveshje që garanton stabilitet e reforma serioze që do të shpejtojnë procesin e integrimit evropian.

Unë sot vetë kam theksuar që kjo marrëveshje s'do të cënojë statusin e nëpunësit civil, përveç rasteve që kemi të bëjmë me përfaqësim politik", tha Meta.

Meta theksoi se një nga p/ligjet për moshën e tretë si një nga nismat e LSI gjatë fushatës ka gjetur mbështetjen e qeverisë dhe një vend të caktuar në programin e qeverisë së re.

m.i/NOA

KOMENTE