Tiranë, 2 shtator, NOA - Deklaratat e kryesocialistit Rama për lejet e dhëna ndaj të burgosurve në prag të fushatës së zgjedhjeve 28 qershorit janë të papërgjegjshme.
Kështu i ka cilësuar ato drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra, sipas të cilit deklaratat e Ramës janë problematike dhe nuk qëndrojnë.
"Rama ka bërë me faj të gjallë dhe të vdekur. Në kongres dolën emrat e të dënuarve që morën leje në qershor", ka deklaruar Dibra me akuzat që u hodhën ndaj institucionit të tij.
Sipas tij, lejet e të dënuarve janë dhënë konform të gjitha rregullave dhe nuk ka vend për ngritjen e hipotezave dhe akuzave se ata mund të jenë përdorur për fushatë elektorale.
Disa ditë më parë, gjatë Kongresit të Jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste u transmetua një material i gjatë filmik për abuzimet në zgjedhje, në të cilin ishte përfshirë edhe një pjesë që denonconte lirimet e kryera nga institucioni i burgjeve muajin qershor, duke aluduar se ato ishin bërë në kuadër të përgatitjeve të fushatës dhe vënies së tyre në përdorim në saj.
n.e/NOA