English

Rinia Aktive, letër Topit: Ndalni zhdukjen e Muzeut të Shkencave të Natyrës

Tiranë, 2 Shtator NOA - Forumi Rinia Aktive i drejton një letër të hapur Presidentit të Republikës dhe Ministrit të Arsimit e Shkencave, për çështjen e prishjes së muzeut të shkencave të natyrës, i cili është në kompetencë të Ministrisë së Arsimit.

Në vendin ku ndodhet ky muze, familja me mbiemër "Zagolli" pretendon se është prona e tyre dhe kane fituar gjyqin në 3 shkallët e gjyqësorit, Fakti, Apeli dhe ajo e Lartë.

Tani çështja është në Gjykatën Kushtetuese, por një dokument që ndodhet në Arkivin e Shtetit, tregon qartë për shpronësimin e kësaj familjeje më datë 2 shtator të vitit 1940. Vendimi i shpronësimit është firmosur nga mëkëmbësi i mbretit Francesco Jacomoni dhe kryeministri Shefqet Verlaci.Vetëm një ditë më vonë, më datë 3 shtator 1940 dhe më pas është botuar edhe në Fletoren Zyrtare nr.144, më datë 14 Shtator 1940.

Më poshtë lexoni letrën e plotë e cila nesër (e Enjte), pritet t'i shkojë kryetarit të shtetit dhe ministrit në detyrë të Arsimit:

FORUMI RINIA AKTIVE

Letër e hapur

Tiranë më 03 Shtator 2009

I nderuar President i Republikës së Shqipërisë!

I nderuar Ministër i Arsimit dhe Shkencës!

Në bazë të shqetësimit tonë si të rinj, studentë, gjimnazistë, nxënës e qytetarë të vendit tonë, sjellim në vëmendjen tuaj dhe iu kërkojmë të ushtroni kompetencat dhe autoritetin me të gjithë fuqinë që ia u jep ligji për çështjen e Muzeut të Shkencave të Natyrës, që ndodhet në Rrugën e Kavajës dhe që është nën varësinë e Ministrisë të Arsimit dhe Shkencës. Tashmë kjo çështje ndodhet mbi tryezat e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, që do të shprehen lidhur me vendimin e Gjykatës së Lartë për t'ia kthyer këtë pronë pronarëve, e madje për t'i paguar atyre edhe qeranë që nga viti 2004. Në vendimin e saj të 29.03.2007, për çështjen midis Hamjet Zagollit (Myftari) dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Gjykata e Lartë ka vendosur: "Detyrimin e të paditurve (Ministrisë) të lirojnë e dorëzojne sendin godinë dy katëshe, ndodhur në Rrugën e Kavajes. Pagimin e qerasë për periudhën nga data 24/02/2001 e deri në lirimin e sendit. Neni 7/2 i Ligjit nr.7698, date 15/04/1993 dhe Udhezimi nr.3, date 21/06/1993 i Keshillit te Ministrave."

Duke parë me vëmendje, Neni 7/2 i Ligjit nr. 7698 thotë: "Kur ndërtesat nuk janë shembur dhe nuk janë blerë nga shteti, edhe kur përdoren për qëllime publike, u njihet pronësia ish-pronarëve. Shteti do të lidhë kontratë qiramarrje me ish-pronarët në përputhje me dispozitat e hartuara për këtë qëllim nga Këshilli i Ministrave. Me kërkesën e ish-pronarëve pas një periudhe prej 3 vjetësh, shteti detyrohet t'u kthejë ndërtesat pronarëve të tyre." Puna është se Muzeu i Shkencave të Natyrës në Tiranë shërben për qëllime publike, atje bëjnë praktikën mijëra nxënës, gjimnazistë e studentë, dhe aty ndodhet një pasuri e madhe e vendit tonë, si specie kafshësh tashmë në zhdukje apo të zhdukura, e elemente të rralla të florës e faunës. Dhe kjo pronë i është blerë pronarëve nga ana e shtetit shqiptar. Sipas specialistëve, nëse sendet dhe objektet që ndodhen në Muze lëvizin, rreth 80% e tyre rrezikojnë shkatërrim të sigurt. Kjo pronë i është blerë pronarëve nga ana e shtetit shqiptar. Në fakt, godina e ish-konviktit "Naim Frashëri", pra Muzeu i Shkencave të Natyrës së sotëm, rezulton e shpronësuar me vendim të Këshillit të Ministrave me numër 1521 i datës 2 Shtator 1940. Vendimi i shpronësimit është firmosur nga mëkëmbësi i mbretit Francesco Jacomoni dhe kryeministri Shefqet Verlaci, vetëm një ditë më vonë, më datë 3 shtator 1940 dhe më pas është botuar edhe në Fletoren Zyrtare nr.144, më datë 14 Shtator 1940. Pas daljes së këtij vendimi mbi shpronësimin e godinës, janë bërë edhe ndryshimet e shtesat që i kanë dhënë godinës pamjen që ka sot. Pra sikurse mund të verifikohet fare lehtë në arkivat e shtetit, që përbëjnë një provë të pakundërshtueshme, objekti është shpronësuar dhe jo konfiskuar, çka nënkupton se shteti e ka blerë atë nga ish-pronarët duke i shpërblyer për këtë, në mënyrë që objekti të përdorej për arsye publike, gjë e cila vazhdon të ndodhë edhe sot. Ndaj ky nen automatikisht bie poshtë. Sipas gazetës "Shqip": "Ky fakt (prova e shpronësimit) asnjëherë nuk iu vu në dispozicion gjykatës gjatë shqyrtimit të çështjes. Kjo edhe për faktin se Gjykata e Shkallës së Parë u mor me shqyrtimin e kësaj çështjeje menjëherë pas trazirave të 1997-ës. Madje, gjatë gjykimit dhe dhënies së vendimit për një objekt të tillë, i konsideruar si një pasuri me vlera të patjetërsueshme për shkencën shqiptare, nuk ka marrë pjesë asnjë përfaqësues i shtetit". Nuk kuptohet se për cilën arsye ka ndodhur kjo? Është me të vërtetë një rast flagrant dhe i rëndë! Çfarë e ka penguar palën mbrojtëse të vihej në zotërim të këtij dokumenti dhe ta paraqiste përpara gjykatave kompetente për ta venodusr drejtësinë në vend? Nuk kuptohet përse ka ndodhur kjo, jo vetëm në Gjykatën e Shkallës së Parë, por edhe në atë të Apelit, vite më vonë. Dhe aq më keq, nëse ky dokument është marrë në shqyrtim, si ka mundësi që në të gjitha shkallët e gjykimit i është dhënë e drejtë pronarëve?

Vendimi i Gjykatës së Lartë thotë se bazohet edhe në udhëzimin nr.3, datë 21/06/1993 i Keshillit te Ministrave." Por në këtë udhëzim në nenin 2 thuhet se "Në kuptim të nenit 6, ndërtesa e troje të shpronësuara e të zëna për nevoja publike quhen ato që në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit nr.7698 janë të zëna për nëvoja publike." Gjë që ka ndodhur. Dhe më tej, në nenin 3 thuhet: "Për efekt të nenit 7 të zbatohen përcaktimet e mëposhtme: a) Më përdorimin e ndërtesave për qëllime publike kuptohet ushtrimi në to i veprimtarive joekonomike që mbulohen tërësisht nga buxheti i shtetit, si arsimi, kultura, shëndetësia, mbrojtja e administrata shtetërore. Në këto raste, kur kemi të bëjmë me ndërtesa të shtetëzuara, të konfiskuara ose të marra pa shpërblim nga shteti, ato i kthehen ish-pronarit, i cili lidh kontratë qiraje me entin publik që e ka atë në përdorim…". Pra edhe në këtë rast vendimi nuk qëndron, pasi prona nuk ka qenë e konfiskuar, por e shpronësuar. Në Kushtetutën e Shqipërisë, në nenin 11, pika 3 thuhet se: "Kufizime të lirisë së veprimtarisë ekonomike mund të vendosen vetëm me ligj dhe vetëm për arsye të rëndësishme publike". Dhe a ka arsye më të madhe publike se kjo? Ndaj ne shprehim bindjen dhe besimin e plotë se Gjykata Kushtetuese, duke iu përmbajtur këtij neni, nuk ka si të vendosë si shkallët e tjera që kanë bërë një gjykim të padrejtë për mendimin tonë. Por edhe në qoftë se të gjitha këto teza ligjore nuk do të qëndronin dhe kjo do të ishte një pronë private me të gjitha efektet, shtetit gjithsesi do t'i lindte e drejta ta shpronësonte atë për qëllime të rëndësishme publike. Ndaj, duket absurde, që ndërkohë që ky objekt përdoret nga shteti për qëllime të rëndësishme publike, ai të privatizohet. Pra, me sa duket, interesa të caktuara personale, dalin mbi ligjet themelore të vendit dhe gjynjëzojnë jo vetëm drejtësinë, por të tërë sistemin politik. Do të ishte një precedent i rrezikshëm që një pronë e shpronësuar dhe që përdoret për qëllime të rëndësishme publike t'i kthehej ish-pronarit, pasi kjo do të bënte që nëj shembull të tillë ta ndiqnin edhe ish-pronarë të tjerë. Ndaj një ditë, nuk do të ishte çudi që Muzeu i Historisë Kombëtare të kthehej në shesh pallatesh, që përmendorja e Skënderbeut të kthehej në pikë furnizimi për automjetet e kështu me rradhë.

Ne, i kërkojmë dashamirësisht Presidëntit të Republikës, t'i përmbahet Nenit 88 të Kushtetutës, për t'i shërbyer interesit të përgjithshëm dhe përparimit të Popullit Shqiptar", si dhe kërkojmë nga Ministri i Arsimit, të ushtrojë trysni dhe ta mbrojë deri në fund këtë kauzë, deri sa drejtësia të vihet në vend!

Ju faleminderit!

Rinia Aktive

Â

KOMENTE