English

Sot takimi zyrtar Berisha-Meta, publikohen negociatat

Tiranë, 2 shtator, NOA - Kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta bëjnë sot publike rezultatet e negociatave të arritura për qeverisjen e përbashkët, bazuar kjo në marrëveshjen mes tyre pas rezultatit zgjedhor të 28 qershorit.

Sipas burimeve pranë dy partive për agjencinë e Lajmeve NOA, takimi zyrtar mes tyre pritet të zhvillohet në mjediset e kryesisë së Kuvendit në orën 16.00, i cili do të konkludohet me deklaratat përkatëse të secilit dhe ravijëzimin në publik të emrave që do të përfshihen në qeverinë e re.

Flitet paraprakisht se Lëvizja Socialiste për Integrim nga ana e saj do të kërkojë që të përfshihen në kabinetin e ri qeveritar emra si ai i Dritan Priftit, i cili do caktohet si ministër i Tregëtisë dhe Energjetikës.

Ndërsa kryetari Ilir Meta kërkon që të marrë postin e ministrisë së Punëve të Jashtme.

Nga ana tjetër, emrat e përfolur prej Partisë Demokratike të cilët pritet të mbajnë postin në kabinetin aktual qeveritar janë Majlinda Bregu, Lulëzim Basdha, Sokol Olldashi etj, ndërsa pritet që edhe republikani Fatmir Mediu të përfitojë një portofol ministri nga 16 të tillë që do të ketë kabineti i ri qeveritar.

n.e/NOA

KOMENTE