Korçë, 3 shtator, NOA - Familjarët kanë gjetur të vdekur në dhomën e gjumit 58-vjeçarin Agim Spaho, lindur në fshatin Rakickë të Korçës.
Sipas të dhënave policore për agjencinë e Lajmeve NOA, rezulton se para gjashtë muajsh ky person ka bërë një aksident automobilistik me mjetin e tij dhe ka humbur bashkëshorten.
Vetë familjarët kanë konfirmuar se gjatë kësaj periudhe, nën efektin e depresionit ai është shprehur se do të helmonte veten e duket se e ka bërë një gjë të tillë.
Bëhet e ditur se nga këqyrja e kufomës nuk janë vërejtur shenja dhune apo dëmtime të tjera me mjete të forta ose të mprehta, gjithsesi për konfirmim më të specializuar pritet akti i ekspertimit mjeko-ligjor.
Aktualisht, mendohet që viktima të ketë përdorur lëndë helmuese nga e cila ka gjetur vdekjen.
U kryen veprimet proceduriale për veprën penale të "Shkaktimit të vetëvrasjes" parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal dhe materialet do t'i kalojnë prokurorisë së Korçës për hetime të mëtejshme.
n.e/NOA