Gostivar, 3 shtator NOA-Largimi nga puna i një mësuese ka shkaktuar një ngjarje makabre në shkollën fillore "Përparimi" në fshatin Çegran të Gostivarit.
Konflikti ka nisur në orët e djeshme të mëngjesit, kur burri i mësueses së shkarkuar ka hyrë në zyrën e drejtorit, duke kërkuar llogari për shkaqet e largimit nga puna.
Por pas tensionimit të situatës dhe gjatë zënkës fizike, drejtori i sapoemëruar SH.S (43) ka nxjerrë pistoletën e tij duke shtënë në drejtim të N.I. (47), i cili u plagos me dy plumba, që e kishin goditur në nyjen e dorës së djathtë dhe në kofshën e djathtë.
Të lënduarit i është ofruar ndihma e shpejtë në Spitalin e Gostivarit, ndërsa me urgjencë më pas është dërguar në Klinikat e Shkupit.
Nga ana tjetër, drejtori i shkollës është ndaluar në stacionin policor në Gostivar, deri në ndriçimin e këtij rasti. (INA)
Â